Të paktën 20 persona kanë vdekur pas shembjes së xhamisë në Mianmar nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin e Azisë Juglindore të premten, ndërsa 3 persona raportohen të vdekur në Bangkok. Ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënoja ku një numër i panjohur njerëzish mendohet të jenë të bllokuar.
Junta ushtarake që sundon Mianmarin që nga një grusht shteti në vitin 2021 ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonet e Sagaing, Mandalay, Magëay, Bago, Easter Shan dhe Naypyidaë.
Sipas raporteve të mediave lokale ajo ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare. Zyrtarët do të hetojnë dëmet dhe do të fillojnë bashkërendimin e shpëtimit në zonat e prekura.
Imazhet dramatike tregojnë ndërtesa të dëmtuara në Mandalay, qytetin e dytë më të madh të Mianmarit.
Ndërkohë Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së ka lëshuar një alarm të kuq për viktima dhe dëme pas tërmetit me magnitudë 7.7 në Mianmar. Uebfaqja e saj thotë se “një numër i madh viktimash dhe dëme të mëdha ka të ngjarë dhe katastrofa është e përhapur”. Agjencia thotë se “ka të ngjarë të ndodhin mijëra vdekje”.
Teksa trupat po nxirren nga rrënojat e një rrokaqielli në Tajlandë, në Mianmar, një zyrtar ka thënë se ka shumë viktima në një spital të madh në kryeqytetin Naypyidaw.
Postimet në mediat sociale tregojnë ndërtesa të shembura në qytetin e Mandalay, i cili është rreth 17 kilometra nga epiqendra e tërmetit 7.7 ballë.
Dramatike është edhe videoja e shembjes së urës historike Ava apo Sagaing.
Ura u ndërtua 91 vjet më parë, gjatë periudhës koloniale britanike, dhe kalonte lumin Irrawaddy duke lidhur rajonet Mandalay dhe Sagaing.
Mandalay është qyteti i dytë më i madh i Mianmarit dhe videot që po publikohen tregojnë një shkatërrim të madh.
Burimi: botasot.info