Pamje të reja dhe dramatike janë publikuar nga Turqia, e cila u godit nga dy tërmete të fuqishme më 6 shkurt.
Fshati Demirköprü, në provincën Hatay, e cila ishte më e goditura, është ndarë thuajse në dy pjesë për shkak të çarjes së madhe që ka pësuar toka.
Kjo është zona ku kalon çarja që ka pësuar korja e tokës. Disa shtëpi kanë përfunduar të shembura në çarjen e tokës që ka shkuar deri në 3 metra.
Për këtë fenomen ka folur edhe Orhan Tatar, drejtori i Përgjithshëm i Rrezikut dhe Reduktimit të Tërmeteve të AFAD.
Në një konferencë për shtyp, Tatar u shpreh se tërmetet kanë shkaktuar dëme në një sipërfaqe 110 mijë kilometra katrorë, gati 4 herë sa sipërfaqja e Shqipërisë.
Orhan Tatar u shpreh se korja e tokës ka pësuar një deformim prej 3-4 metrash, në një distancë prej 400 kilometrash, në një thellësi prej afërisht 8 deri në 10 kilometrash.
Për Tatar, tërmetet e fundit në Turqi kanë qenë ndër më të fuqishmit që kanë rënë në tokë jo në det.
Ai theksoi se pasgoditjet do të zgjasin për shumë kohë, duke qenë se dy lëkundjet e mëdha kanë qenë mbi 7 të shkallës rihter.