Ndërrojnë taktikë, po qëllimi mbetet i njëjtë. I kanë ndërruar vetëm rolet: tash Levica ngre iniciativë kundër Protokollit me Bullgarinë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Kështu, sikur duan ta anashkalojnë Parlamentin dhe kryetarin e saj, Talat Xhaferi, i cili kohë më parë e refuzoi iniciativën e VMRO-së, me arsyetimin se marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare nuk nxirren në referendum pasi ato të bëhen pjesë e sistemit kushtetues-juridik.
Lideri i Levicës, Apasiev, pas dorëzimit të iniciativës në KSHZ deklaroi se tash fjalën do ta ketë populli kur është fjala për interesat shtetërore.
Ajo që bie në sy, është këmbëngulja e opozitës me strategji të re. Deputeti i Levicës, Borislav Kërmov, ka deklaruar se kanë marrëveshje me VMRO-në që, nëse Talat Xhaferi edhe kësaj radhe e refuzon iniciativën, do të shkaktojnë paralizë të plotë të organit më të lartë ligjvënës.
Se iniciativën do ta përkrahë edhe VMRO-ja, këtë e deklaroi ditë më parë edhe vetë kryetari i saj, Hristijan Mickovski.
Të paktën njëqind nënshkrime nevojiten që Iniciativa të dorëzohet në Kuvend. Paraprakisht, iniciativa për referendum për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, të cilin VMRO-DPMNE e dorëzoi në Kuvend më 9 shtator, Xhaferi e hodhi poshtë me arsyetimin se është antikushtetuese dhe në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, të cilat në përputhje me Kushtetutën janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.