Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se është arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR’it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.
Postimi i plotë:
Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.
Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.
Republika nuk do të zmbrapset.