Tensionet mes Ukrainës kanë rigjallëruar pjesën më radikale të nacionalizmit në Ukrainë. Makineria e propagandës ruse i ka portretizuar këto grupe të ekstremit të djathtë si pjesë themelore të politikës së Ukrainës. Por në realitet, një koalicion i të gjitha partive të ekstremit të djathtë nuk arriti të futet në parlamentin ukrainas në zgjedhjet e fundit legjislative. Megjithatë, ekziston shqetësimi se mundësia e një konflikti të armatosur mund të rrisë ekstremin e djathtë në vend.
Mes tensioneve më të larta ndonjëherë, për një luftë të mundshme me Rusinë, shumë civilë ukrainas po trajnohen ushtarakisht gjatë fundjavave. Në një objekt të braktisur të ish periudhës sovjetike në periferi të Kievit, gra dhe burra mësojnë si të përdorin armët dhe si të luftojnë në rast lufte.
Një prej tyre, Ivani, thotë për Zërin e Amerikës se dikur ka shërbyer në ushtri dhe tani po u mëson të tjerëve si të përdorin armët.
“Po ruajmë gjakftohtësinë. Në rast nevoje, ne do të mbrojmë vendin tonë. Në këtë fundjavë jemi bashkuar për t’u stërvitur”.
Ky trajnim nuk organizohet nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, por nga një prej batalioneve më aktive gjatë luftës në lindje të vendit, “Batalioni AZOV”, i kritikuar shpesh për qëndrime të ekstremit të djathtë e madje edhe neo-naziste.
Kjo organizatë është përfshirë tani në politikë duke krijuar partinë Korpusi Kombëtar (National Corps). Drejtuesit e saj thonë se nuk janë ultranacionalistë apo ekstremistë por e cilësojnë veten si patriotë në kohë lufte.
Maxim Zhorin, një prej drejtuesve të kësaj partie, i tha Zërit të Amerikës se grupi i tyre ndryshon nga e djathta ekstreme evropiane.
“Ne jemi nacionalistë ukrainas, por duhet kuptuar se e djathta nacionaliste në Ukrainë është krejt ndryshe nga ajo e Evropës apo e Amerikës. Ne kemi përparësi të tjera, probleme të tjera. Kryesorja që duhet të zgjidhim është lufta me Federatën Ruse”.
Por për pakicën hebraike në Ukrainë, të përqendruar kryesisht në qytetin lindor Dnieper, shqetësimet për rritjen e ekstremit të djathtë ishin më të larta gjatë protestave të ashtuquajtura të Maidanit në vitin 2013. Ndërsa gjendja u stabilizua dhe drejtimin e mori një udhëheqje e re, shqetësimet rreth nacionalizmit ekstrem u zbutën.
Zelig Brez, drejtor i Komunitetit Hebraik në Dnepropetrovsk, thotë se ndërsa grupet ekstreme janë të pranishme, radikalët përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë ukrainase.
“Besojmë se kjo nuk është një rrymë kryesore në mjedisin politik. Botëkuptimi i përbashkët, njerëzit me zemër të bardhë, mbështetja, miqësia dhe toleranca janë shumë të forta në Ukrainë”.
Makineria e propagandës ruse i ka portretizuar këto grupe të ekstremit të djathtë si pjesë themelore të politikës së Ukrainës. Por në realitet, një koalicion i të gjitha partive të ekstremit të djathtë nuk arriti të hyjë në parlamentin ukrainas në zgjedhjet e fundit legjislative. Kira Rudyk, kryeson partinë liberale Holos që do të thotë Zëri.
“Mbështetja është shumë e vogël ndaj lëvizjes së ekstremit të djathtë. Në parlamentin ukrainas nuk ka asnjë parti të ekstremit të djathtë. Sondazhet e fundit tregojnë se njerëzit nuk po u japin atyre mbështetjen e mjaftueshme. Pra, ajo që ne po vërejmë është një grup i kufizuar njerëzish që kanë pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe besoj se kjo ndodh në çdo vend demokratik”.
Ndërsa ekziston mundësia e një konflikti të armatosur në shkallë të gjerë, disa ukrainas druhen se kjo mund të shërbejë si shkëndijë për rritjen e nacionalizmit duke përfshirë edhe rrymat radikale./VOA