Ministria e Infrastrukturës i ka nisur sot procedurat e prokurimit për projektin e rehabilitimit dhe asfaltimit të rrugës rajonale R124 që shpije për dy fshatra të “harruara” të Komunës së Kamenicës.
Të mërkurën, MI-ja hapi procedurat e prokurimit për asfalitimin e rrugës që lidh Shipashnicën me Desivojcën dhe Tërrstenën, dy fshatrat kufitare në skajin lindor të Kosovës, të braktisura në masë të madhe nga popullata.
Projekti është paraparë me ndarjet buxhetore të vitit 2024 dhe vlera e parashikuar e tenderit është 3.4 milionë euro.
MI-ja i ka ftuar kompanitë e interesuara të ofertojnë në tender.
Kohëzgjatja e përfundimit të punimeve është 195 ditë nga nënshkrimi i kontratës, bazuar në Dosjen e Tenderit.
Asfaltimi i rrugës në drejtim të dy fshatrave kufitare është tash e disa vite në planet e Komunës së Kamenicës, por buxheti i komunës për investimet kapitale e ka bërë të pamundur realizimin e këtij projekti.
Ai mund të jetësohet në muajt e parë të vitit 2025, por pas zotimit të mjeteve për këtë projekt nga pushteti qendror.
Burimi: botasot.info