Manchester United përgatitet për sezonin e ardhshëm teksa Djajtë e Kuq i pret një revolucion pas zhgënjimit me rezultatet në vitet e fundit. Kështu, drejtuesit vendosën t’i besojnë “timonin” e skuadrës trajnerit Erik Ten Hag, i cili sapo të mbyllë në fund të këtij sezoni aventurën me Ajax do të udhëtojë drejt Anglisë për detyrën më të rëndësishme në karrierën e tij.
Një detyrë për të cilën 52-vjeçari ka nisur të mendojë dhe drejtuesve anglezë ia ka bërë të qartë emrat që synon t’i afrojë në merkato.
Holandezi e sheh të nevojshëm transferimin e një sulmuesi në Old Trafford, ndërsa ka përzgjedhur lojtarin e Napolit, Victor Osimhen. Nigeriani ka treguar vlera në Serinë A, teksa në 27 paraqitje me italianët ia ka dalë të shënojë plot 16 gola.
Sigurisht, i transferuar vetëm merkaton e kaluar te Napoli, Manchester United nuk do ta ketë të lehtë të bind të kaltrit të heqin dorë nga 23-vjeçari.
Mirëpo, për të plotësuar dëshirën e Ten Hag, drejtuesit e United po përgatisin një ofertë deri në 100 milionë euro dhe që me siguri do të lëkundë presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis.