Me rritjen e temperaturave ditëve të fundit, janë trefishuar thirrjet në Ndihmën e Shpejtë në Tetovë. Po aq janë rritur edhe intervenimet në terren, thotë mjeku Besnik Mustafai, i cili shton se, rastet më të shpeshta ku intervenohet, janë kollabimet si pasojë e dehidrimit.
“Numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë në terren për dallim prej periudhës së kaluar, është rritur. Brenda 24 orëve nëse në kohë normale ka pasur afro 10 intervenime, tani është dyfishuar apo trefishuar numri i intervenimeve në terren. Kryesisht thirremi shkaku i kollabimit të pacientëve në temperatura të larta”, deklaroi Besnik Mustafai, Mjek në Ndihmën e Shpejtë.
Banorët ankohen se e kanë patjetër të dalin për shkak të obligimeve, por bëjnë kujdes që të ecin më shumë në hije, dhe freskohen nëpër çezmat e qytetit.
“Nuk dalim fort në diell deri sa kalon ky i nxehtë, pastaj lëvizim, por kemi nevojë ndonjëherë, jemi me sëmundje njëra-tjetra, ama më së tepërmi ecim hijeve”.
“Shumë tepër shumë temperatura të larta janë. Mundohemi të ikim të mbrohemi, mundohem të ikim qosheve të qytetit ku ka çezma më shumë ta bëjmë kohën sepse patjetër të punojmë sepse kemi hall bukën”.
“Diçka të bëjmë, punë e Zotit është se ndryshojmë dot, por që pengon normal pengon shumë. Duhet njerëzit të rrinë në shtëpi mos dalin”.
Në gjendje gatishmërie është vënë edhe njësia territoriale kundër zjarrit e Tetovës. Apelojnë për kujdes maksimal me ndezjen e zjarreve, e sidomos hedhjen e duqeve të cigareve nëpër pyje.
“Gjithë që bëjnë korrjet dhe pastrojnë arat i lusim mos ndezin pa kontroll zjarre sepse pasojat do jenë shumë më të mëdha. Po ashtu edhe ata që dalin pyjeve, kujdes mos ndizni zjarre apo të hidhni cigaret që mund të shkaktojnë zjarr”, tha Avni Ameti, Kryeshef i NJTKZ Tetovë.
Vendi ynë vazhdon të jetë në zonën portokalli të rrezikut, me çka, organet e shëndetësisë, apelojnë banorët që të mos dalin pa nevojë në diell nga ora 11 deri në orën 17, ndërsa konsumimi i ujit dhe lëngjeve të jetë primar. Mjekët alarmojnë edhe për konsumin e ushqimeve të konservuara dhe mishit të cilat më së shpeshti janë shkaktarët e helmimit të banorëve.