Paris Saint-Germain mund të përballet me një tjetër skandal. Këtë herë, ka të bëjë me transferimin e Lionel Messit.
Argjentinasi nënshkroi me klubin francez vitin e kaluar si lojtar i lirë, pasi u largua pas 17 vjetësh nga Barcelona.
Tani, ka dalë se Gjykata Evropiane do të shqyrtojë nëse kalimi i Messit te PSG-ja ka shkelur rregullat e “Fair Play Financiar” të UEFA-s.
Ankesa është ngritur nga një grup i tifozëve të Barcelonës në Lyon dhe do të hetohet të martën e ardhshme nga një dhomë e Gjykatës Evropiane në Luksemburg.
Avokati i grupit, Juan Branco, e konsideron sukses që ankesa të diskutohet në Gjykatë, megjithëse nuk garanton asgjë.
Edhe pse Messi e bëri këtë lëvizje pa asnjë tarifë transferimi te Barcelona, përfitimet e tij të larta prej 40 milionë euro për sezon ka shkaktuar këtë situatë.
Në fillim të këtij viti, PSG ishte një nga disa klube të paralajmëruara nga UEFA për shpenzimet e tyre financiare dhe ishte e qartë se ata nuk mund të shpenzonin aq lirshëm sa dëshironin si rezultat i kësaj.
Përveç 35-vjeçarit, PSG tashmë po përballet me probleme me sulmuesit e tjerë të tyre pasi javën e kaluar u shfaqën raporte se Kylian Mbappe ishte i pakënaqur në klub dhe po kërkonte të largohej, diçka që vetë lojtari e mohon.
Për më tepër, Neymar ishte në gjykatë në Barcelonë të hënën për të përcaktuar nëse ai dhe të tjerët kryen mashtrime për transferimin e tij në klubin katalanas nga Santosi gati një dekadë më parë.
E ardhmja e Messit në PSG është ende e paqartë, pasi ai është lidhur me një rikthim në Barcelonë pasi kontrata e tij me klubin francez të skadojë në fund të sezonit.