Teksas, familjet e refugjatëve afganë dhe përpjekjet për të nisur një jetë të re

January 28, 2022
min lexim

Në një kohë kur një numër i paprecedentë refugjatësh afganë janë vendosur në qytetet amerikane, agjencitë që po ndihmojnë në sistemin e tyre po përballen me vështirësi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deana Mitchell bisedoi me disa familje afgane në Austin të Teksasit, të cilët thonë se nuk po marrin ndihmën që u nevojitet.

Ismail Purdali ka punuar me ushtrinë amerikane në Afganistan për disa vite. Ai u plagos në krah nga talebanët në vitin 2014 dhe humbi një këmbë si pasojë e një shpërthimi në vitin 2016. Në gusht të vitit të kaluar, ai iu bashkua rreth 75,000 afganë të tjerë që kërkonin strehim në Shtetet e Bashkuara.

“U plagosa dy herë gjatë punës me ushtrinë amerikane dhe ata më thanë se kur të shkosh në SHBA, do të marrësh ndihmë financiare dhe qeveria amerikane do të ndihmojë”, thotë ai.

Por pas disa muajsh në Austin të Teksasit dhe për shkak të vështirësive që ka për ecur, ai pret në banesën e tij çdo ditë për gjërat që do t’i mundësonin të ndërtojë një jetë të re.

Një prej tyre karta e sigurimeve shoqërore, që do t’i mundësonte të aplikonte për kupona ushqimorë, apo të gjente një punë.

Të tjera nevoja bazë të premtuara për refugjatët përfshijnë mësimin e anglishtes dhe udhëzime se si të përdorin transportin publik. Kjo nuk ka ndodhur për zotin Purdali dhe dy refugjatë të tjerë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës. Ata shërbenin në të njëjtën njësi të forcave speciale amerikane në Jalalabad në pjesën lindore të Afganistanit.

Zoti Purdali thotë se kur merr në telefonon Shërbimin për Refugjatët në Teksas, agjencia që ishte caktuar për ta ndihmuar, askush nuk trajton rastin e tij.

“Nuk na kanë caktuar një punonjës për rastin tonë, askush nuk po kujdeset për ne aktualisht”, shton ai.

Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, refugjatët afganë jetojnë në baza ushtarake ose janë vendosur në shtëpi nga agjencitë e refugjatëve të caktuara për t’i ndihmuar ata të përshtaten me jetën e re. Por për shkak të një numri të pashembullt afganësh që mbërritën papritur vjeshtën e kaluar, agjencitë po ndeshin në vështirësi për të ndihmuar refugjatët të strehohen, duke ngritur pikëpyetje nëse sistemi mundet ose jo t’i përmbushë nevojat.

Russell Smith, drejtor ekzekutiv i Shërbimeve për Refugjatët në Teksas, thotë se nuk ishte në dijeni të detajeve lidhur me situatën në të cilët ndodhet zoti Purdali e refugjatë të tjerë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës. Por ai tha se agjencia po përballet me një kërkesë të lartë.

“Në tre muaj numri i të ardhurve është dyfishuar. Më dhemb kur mendoj se njerëzit nuk po trajtohen. Ajo që po bëjmë është punësimi me ritme të shpejta”.

Infrastruktura e zhvendosjes së refugjatëve në SHBA ka vuajtur gjatë administratës Trump, kur fondet e qeverisë federale u shkurtuan, thotë Elizabeth Ferris, eksperte e politikave të migracionit në Universitetin Georgetown.

“Në të njëjtën kohë, ndeshemi me një rritje dramatike në numra. Ka shumë trysni për t’i zhvendosur njerëzit nga bazat ushtarake në komunitet, dhe kjo krijon stres mbi këto agjenci lokale dhe mbi vetë refugjatët”.

Megjithatë, ajo thotë se situata për familjet me të cilat bisedoi Zëri i Amerikës është e papranueshme.

“Nëse filiali lokal nuk ka kapacitete, ata ose duhet ta krijojnë një gjë të tillë ose të bëjnë ndoshta ndryshime të tjera pasi njerëzit nuk mund të anashkalohen në këtë mënyrë”, thotë ajo.

Kjo duket se ka ndodhur me Fazullah Mohmadin, bashkëshorten dhe 10 fëmijët e tij, mes tyre dhe një i porsalindur.

“Në këtë shtëpi jetojmë 12 vetë. Ne nuk jemi kafshë, duhet të kemi të njëjtat të drejta si çdo njeri”, thotë ai.

Ai thotë se i kanë thënë se qiraja e tij prej 2,300 dollarë në muaj është shumë e lartë për t’u kualifikuar për pagesat mujore që marrin të tjerët. Ai ka mbijetuar me kupona ushqimore, për të cilat aplikoi falë ndihmës së një fqinji, si dhe disa kursimeve nga puna me ushtrinë amerikane në Afganistan. Fazullah Mohmadi nuk e di se kush është pronari i banesës, dhe se kur pritet t’i paguajë vetë faturat. Ai shton se telefonatat dhe mesazhet e tij drejtuar Shërbimit të Refugjatëve të Teksasit kanë mbetur pa përgjigje.

Një zëdhënës i kësaj agjencie e kundërshtoi këtë pretendim dhe tha se të gjitha familjet kanë marrë në dorë shumë herë pagesa në formë ndihme. Por ai pranoi se agjencia, e cila ka ndihmuar në vendosjen e 800 afganëve në këtë zonë në katër muaj, është pas me planit për ofrimin e shërbimeve, të tilla si mësimi i anglishtes apo përdorimi i transportit publik.

Demetrio Alvero është drejtor i operacioneve për agjencinë Episkopale të Migracionit, e cila merr para nga qeveria federale dhe ua shpërndan ato degëve që trajtojnë refugjatët, sikurse Shërbimi i Refugjatëve të Teksasit.

“Ka shumë para për të ndihmuar këto familje. Pra ajo që po më përshkruani është shumë e papajtueshme me mënyrën se si funksionojnë degët tona, ndaj na duhet ta shqyrtojmë çështjen me shumë kujdes”.

Marrja e ndihmës dhe vëmendja është pikërisht ajo për të cilën shpreson zoti Mohmadi.

“Kërkesa ime drejtuar qeverisë është se nëse u japin para organizatave të ndryshme si Shërbimi i Refugjatëve të Teksasit, duhet të kenë një lloj llogaridhëniejeje. Ata duhet të shohin se çfarë po ndodh dhe cili është realiteti në terren. Ata duhet ta mbajnë situatën nën kontroll”.

Ndërkohë 20,000 afganë të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në baza ushtarake në pritje të caktimit të një qyteti amerikan për t’u vendosur./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Vendimet e Qeverisë Kurti nuk do të jenë më të dëmshme dhe më të rrezikshme se ato të qeverive të deritanishme

Story i radhës

7 gjëra që nuk jua thonë për seksin gjatë periodave

Të fundit nga

Moti parashikohet i vranët dhe pa reshje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot moti parashikohet i vranët dhe pa reshje. “Në mëngjes, në shumë zona do të ketë kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3

Goditje e bujshme e Barcelonës

Barcelona duket se ka bërë një goditje të bujshme teksa ka siguruar firmën e një lojtari të cilin e kërkonin të gjithë klubet e mëdha të Europës. Gazetat katalanase ”Sport” dhe :”Mundo
ShkoLartë