Faturat e larta të energjisë elektrike i lënë në errësirë institucionet shtetërore në Maqedoni.
Pjesë e tyre është edhe Teatri Shqiptar në Shkup, ndërsa më herët publiku ishte dëshmitar se për shkak të borxheve Opera dhe Baleti mbetën pa energji elektrike.
Teatri Shqiptar është shkëputur nga rrjeti elektrik për shkak të borxhit prej 4 milionë e 200 mijë denarë (rreth 70 mijë euro), borxh ky i akumuluar që nga shkurti i këtij viti.
Aktorët e Teatrit Shqiptar nga Shkupi thanë se po përgatisin shfaqjen “Tri motrat” të autorit Anton Pavloviq Çehov (vepër e shkruar në vitin 1900), në të njëjtat kushte si kur është shkruar, pa dritë, sepse teatri ka tash e dy javë është pa energji elektrike.
“Është një fat i hidhur që pas gjithë këtyre viteve kur Çehovi e shkroi këtë vepër me qirinj, dhe pas gjithë këtyre viteve po e bëjmë këtë shfaqje pa energji elektrike, kështu që gjatë ditës i zhvendosëm të gjitha provat në një lexim tavoline. Por ju e dini që gjëja kryesore në teatër është të punosh në skenë. Dhe, siç e dini, skena, qoftë ditë apo natë, është e errët, ndaj duhet ndezur për t’i dhënë ngjyrën që meriton një skenë”, tha aktori Fisnik Zeqiri.
Ministria e Kulturës tha të hënën se mjetet janë siguruar dhe këto institucione do të furnizohen me energji elektrike deri në fund të ditës pasi të jenë paguar faturat e energjisë elektrike.
Ministria deklaroi gjithashtu se tash e tutje, pavarësisht rritjes së çmimit të energjisë elektrike, institucionet kulturore nuk do të mbeten pa drita.
Ndërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike EVN tha se debitorët më të mëdhenj janë 186 institucione shtetërore dhe publike, prej të cilave 16 janë tërësisht të shkëputura nga rrjeti.