“Të rrahur e pa këpucë deri në Shqipëri’, rrëfimi i të mbijetuarit të Masakrës së Krushës

I mbijetuari i Masakrës në Krushë të Madhe, Xhafer Krasniqi rrëfen torturat nga forcat serbe gjatë kohës së luftës. Të rrahur e të zbathur, ai bashkë me mbi 40 banorë tjerë të fshatit, në marsin e vitit 1999 u nisën drejt Kukësit të Shqipërisë.

Rrugëve ku dikur eci i zbathur e me dhimbje në trup, Xhafer Krasniqi kalon çdo ditë.

I mbijetuari i Masakrës së Krushës së Madhe në Rahovec, përjetimet e periudhës së luftës ende i ka të freskëta.

Ai kujton kohën kur forcat serbe e morën atë bashkë me 46 banorët tjerë të këtij fshati e i rrahën shumë herë.

“Tek ish shtabi i UÇK-së edhe aty na kanë rreh, apet na kanë pru ma knej, apet na kanë rreh. Kanë qitë tri-katër herë përpjetë se po na vrajnë, s’na vrajtën”, thotë Xhafer Krasniqi

E më pas, Krasniqin e të tjerët i dërguan deri në kufirin për Shqipëri.

Por gjatë asaj periudhe, forcat serbe u morën gjithçka që kishin.

“Tha sa t’vranë janë, në radiolidhje. Tha më shumë se 500, tani tha e keni kalu pak kufi numrin, se e kishin pasë ditë ata sa me vra, tha lëshoni këta. Mor pa këpuca, mor pa tesha, mor na kanë marrë çka kemi pasë, me sahata, me pare, me dukat, çka kanë gjetë i kanë marrë. Pa këpuca jemi shku në Kukës”, thotë ai.

Krasniqi ka edhe një mesazh për gjeneratat e reja.

“Rune shtetin, se gjithsecili i ka dhanë dy gram gjak për këtë shtet. Veç rune…”

Me 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe nga forcat serbe u masakruan 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra në Krushë të Madhe të Rahovecit ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serb.

Story i mëparshëm

Ushqime nga ajri! Jordania përdor çdo mënyrë për të furnizuar palestinezët

Story i radhës

Xhaferi në Tearcë: Investimi në komunat siguron zhvillim vendor dhe të ardhme për qytetarët

Të fundit nga