Të rinjtë kanë interes për t’u përfshirë në procesin e integrimit evropian, por mungon vullneti i institucioneve për t’i angazhuar. Kështu u tha në Shkup në konferencën rajonale përmbyllëse të projektit “Angazhimi i të rinjve për Evropianizmin e Ballkanit”.
Në hapësirat e “Europe House” në Shkup, të rinjtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kanë diskutuar për përfshirjen e të rinjve dhe integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor.
Xhelal Neziri, president i Institutit Ballkanit për Bashkëpunim Rajonal “BIRC”, tha se mungon vullneti i institucioneve dhe partive politike që të përfshijnë të rinjtë në procesin e integrimit evropian.
Neziri: Mungon vullneti i institucioneve për t’i angazhuar të rinjtë
“Ekziston një interes i madh tek të rinjtë për t’u përfshirë në procesin e integrimit evropian. Megjithatë, nga ana tjetër, mungon vullneti nga institucionet dhe partitë politike — aktorët kryesorë në sistemin tonë politik — për t’i angazhuar vërtet të rinjtë, për të besuar tek ata dhe për t’u dhënë përgjegjësi reale në këtë proces. Kjo situatë është zhgënjyese. Duke marrë parasysh se përballemi me korrupsion të përhapur dhe stagnim në procesin e integrimit, duhet të mësojmë nga përvoja e fqinjëve tanë, si Mali i Zi, i cili ka qenë për një kohë të gjatë në këtë proces. Shembulli i tyre tregon sa i vështirë dhe i ngadalshëm mund të bëhet ky proces kur mungon vullneti politik. Ky proces i zgjatur ka krijuar ndjenjë pakënaqësie tek të rinjtë në gjithë rajonin. Shumë prej tyre nuk duan më të presin që vendi i tyre të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian; përkundrazi, kërkojnë të bëhen vetë pjesë e BE-së — duke studiuar, punuar apo jetuar jashtë vendit. Kjo është një nga problemet kryesore, siç e përmendi edhe kolegu im: të rinjtë e shohin se vendi po lëviz shumë ngadalë, ose aspak, drejt BE-së, prandaj vendosin të largohen”, tha Neziri.
Procesi i integrimit duhet të jetë më gjithëpërfshirës, tha ndër tjera Neziri, teksa shtoi se të rinjtë duhet të kenë zë të vërtetë.
Ky projekt financohet nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe realizohet nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) nga Maqedonia e Veriut, Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) nga Kosova dhe organizata joqeveritare “NVO Glas” nga Mali i Zi.
Përfaqësuesit e tri organizatave kanë paraqitur rezultatet e hulumtimeve të tyre mbi përfshirjen e të rinjve në procesin e integrimit evropian.
Drenusha Latifi, e cila ka përfaqësuar Qendrën për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) nga Kosova, deklaroi se te rinjtë e Kosovës po vazhdojnë të përballen me barriera që i pengojnë të ndikojnë në vendimmarrjen e përditshme.
Latifi: Përqindja e të rinjve të cilët nuk janë në punë është e lartë
“Kalimi nga shkolla në tregun e punës është pika më e vështirë. Shumë nxënës përfundojnë shkollën e mesme pa aftësitë që kërkojnë punëdhënësit, rrugët profesionale janë me cilësi të pabarabartë dhe shumë të diplomuar mbeten duke kaluar nga një punë e përkohshme në tjetrën, në punë të papaguara apo duke pritur një mundësi që kurrë nuk vjen në sektorin publik. Përqindja e të rinjve që nuk janë as në arsim, as në punë, as në trajnim mbetet e lartë, gjë që ushqen frustrimin dhe i shtyn disa të mendojnë për të lënë vendin, pikërisht kur Kosovës i duhen idetë dhe energjia e tyre në shtëpi. Tregu i punës është i vështirë në përgjithësi dhe veçanërisht për gratë e reja, të cilat përballen me norma më të ulëta punësimi dhe me pritshmëri kulturore që ua vështirësojnë shfrytëzimin e mundësive; kjo është një humbje e dyfishtë — si për gratë, ashtu edhe për ekonominë që nuk mund të përballojë ta lërë talentin jashtë loje. Pamja është e pabarabartë edhe mes komuniteteve të ndryshme. Të rinjtë romë, ashkali dhe egjiptianë, ashtu si edhe të rinjtë që jetojnë në zonat rurale, përballen me pengesa shtesë — transporti që nuk i lidh me shkollat apo vendet e punës, mungesa e shërbimeve pranë shtëpisë, dhe paragjykimet e vazhdueshme që mund t’i pengojnë në bursa, trajnim apo punësim të drejtë”, deklaroi Latifi.
Drejtori i programit nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), Lorik Idrizi tha se përfshirja e të rinjve ne procesin e integrimit evropian është thelbësor.
Idrizi: Përfshirja domethënëse e të rinjve është thelbësore
“Dy pengesat kryesore për përfshirjen e tyre [të rinjve] në proceset e evropianizimit dhe demokratizimit përfshijnë mosbesimin institucional, mungesën e transparencës, burimet e kufizuara dhe instrumentalizimin e strukturave rinore. Studimi që kemi bërë ne argumenton se përfshirja domethënëse e të rinjve është thelbësore jo vetëm për konsolidimin demokratik por edhe për përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Për të kapërcyer hendekun midis legjislacionit dhe praktikës hulumtimi propozon një set rekomandimesh konkrete politike që synojnë ndërtimin e mekanizmave pjesëmarrës, fuqizimin e organizatave rinore dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional. Studimi thekson nevojën për të ripozicionuar të rinjtë nga përfitues pasivë në bashkë-krijues aktivë të së ardhmes evropiane të vendit”, tha ai.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës “NVO Glas” në Mal të Zi, Milica Dediq ka folur për “pjesëmarrjen dekorative” të te rinjve në vendimmarrje.
Dediq: Të rinjtë duhet të trajtohen si partnerë
“Një nga gjetjet më të fuqishme është se 85.7% e të anketuarve bëjnë qartë dallimin midis pjesëmarrjes aktive dhe asaj dekorative. Pjesëmarrja aktive nënkupton që të rinjtë ndikojnë në vendimmarrje — ata bashkë-krijojnë politika dhe kanë ndikim të matshëm. Pjesëmarrja dekorative nënkupton që të rinjtë janë të pranishëm në takime, fushata ose këshilla, por pa ndonjë pushtet real. Kjo jo vetëm që është demotivuese; minon besimin dhe e dobëson demokracinë. Për ta zgjidhur këtë, të rinjtë duhet të trajtohen si partnerë, jo si pjesëmarrës për foto”, tha ajo.
Tri organizatat partnere kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për mundësi të aplikimit bashkë si koncersium për projekte të ndryshme të natyrës së njëjtë të evropianizmit.
Aktivitetet janë mbajtur në Podgoricë, Prishtinë e Shkup, si kryeqytetet e tre vendeve të përfshira në këtë projekt.
Burimi: botasot.info


