Të pathënat e bisedës së Mehmet Shehut me delegacionin e Rumanisë, dy ditë para vrasje: Kur kundërshtova, më tregoi prangat

December 19, 2023
min lexim

Faik Qytyku, ish-zyrtar i lartë i administratës së regjimit komunist, ka shërbyer për disa vite në kabinetin e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. I rezervuar në konsiderata për shefin e dikurshëm, nuk heziton të shprehet, madje me bindje se fundi i tij ka qënë një vrasje e pastër dhe jo një vetvrasje sikundër është cilësuar nga propaganda dhe istitucionet e kohës.

Nga gjithçka kujton nga koha kur punonte si bashkëpunëtorë i Mehmet Shehut, veçon ditët e fundit kur punonte në zyrën e tij në kryeministri. Për gazetën “Panorama”, Faik Qytyku, tashmë i pesionuar, rezidentë në Francë, ka dëshirë të tregojë për një mision të çuditshëm e provokativ, siç e quan ai, të delegacionit qeveritar rumun në takimin zyrtar me Mehmet Shehun vetëm dy ditë para tragjedisë së tij.

Të divorcuar politikisht me Rumaninë në vitin ’60 në Koferencën e 81 partive në Moskë, kujton ai, ky delegacioni tregëtar i Bukureshtit, gjeti rastin të provokonte kryeministrin shqiptar për rivendosjen e tyre vetëm dy ditë para vrasjes së tij. Po shefi i qeverisë shqiptare, siç kujton Qytyku, ia dha opingat në dorë dhe i tregoi vendin matrapazit politik nga Bukureshti. Gjithçka pas kësaj, kur kryeministri sa kishte ndërruar jetë, kujton ndihëmsi që ka qënë i pranishëm në atë takim, do të futej në të tjera hulli dhe Mehmet Shehu do të akuzohej se kishte qënë ai që i kishte ofruar palës rumune rivendosjen e marrdhënieve politike dypalëshe.

Po e keqja kishte qënë më shumë se kaq, hetuesia politike e Tiranës do të penalizonte tërë personelin e afërt të Mehmet Shehut që nuk kishte denoncuar këtë aventurë të rrezkishme tashmë të ish kryeminsitrit poliagjent. Ndër ta do ta pësonte dhe Faik Qytyku, i cili duhej të përgjigjej këtë radhë dhe për një aventurë tjetër të Mehmet Shehut, i cili sipas policisë sekrete në një takim kortezie me ambasadorin jugosllav e kishte uruar këtë të fundit për një shërim të shpejtë të Titos….

Zoti Faik, ju keni punuar disa vite në kabinetin e kryeministrit Mehmet Shehu, madje keni qënë deri në ditën e fundit kur është shfaqur në zyrën e tij në kryeministri…

Për herë të fundit në zyrën e tij në Kryeministri Mehmet Shehu ishte paraditen e 16 dhjetorit 1981, pra, dy ditë para se ta dërgonin në mënyrë tragjike në botën tjetër…

Cila ishte agjenda e fundit e Mehmet Shehut?

Ishte një takim i pararshikuar me delegacionin qeveritar tregtar rumun. Funksioni që mbaja si ndimmesit i kryeministrit, më mundësonte që për katër vjet e gjysëm (korrik 1977- dhjetor 1981) të merrja pjesë në të gjitha mbledhjet e Qeverisë dhe në pritjet që kryeministri, Mehmet Shehu , bënte me delegacionet qeveritare të vendeve të ndryshme Kështu që si gjithënjë asistova edhe në pritjen e tij të fundit, në atë me delegacionin qeveritar rumun.

Me sa më kujtohet delegacioni i qeverisë së Rumanisë kryesohej nga zëvendes kryetari i Keshillit të Ministrave dhe ministër i Tregtisë së Jashtme, Kornel Burtika. Ai ishte nga anëtarët më të rëndesishëm të Byrosë Politike të Partisë Punëtore të Rumanisë. Në takimin me kryeministrin Shehu, ai shoqërohej nga ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, A. Militaru. Ndërkaq, nga pala shqiptare në atë takim merrnin pjesë ministri i Tregtisë së Jashtme të Shqipërisë, Nedin Hoxha, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile dhe sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Kiço Kasapi.

Kishte ndonjë ndryshim atë ditë në paraqitjen e kryeministrit?

Në fakt unë kisha disa muaj, më saktë qysh nga tetori, kur kishim qënë në konferencen e Partisë në Korçë, pa e parë Mehmetin. Dukej shumë i lodhur, i vrarë në fytyrë, pa atë gjallërinë e përherëshme. Nuk ishte Mehmeti i mëparshëm që unë njihja, dukej gati i këputur, i dërrmuar shpirtërisht dhe fizikisht. Kjo më bëri shumë pështypje, por nuk mund t’i jepja ndonje shpjegim të saktë. Mendova se ndoshta do të kishte kaluar ndonjë sëmundje. Nuk mund të pyesje për çështje të tilla, ndaj nuk u interesova më tej. Sekretari personal i tij, Peçi Kalluci, hynte e dilte rregullisht në familjen e Mehmetit dhe dinte shumë gjëra.

Ai kishte punuar si sekretar personal i tij qysh gjatë luftës në Brigadën e Parë. Veçse Peçi i kishte vënë nje kyç të madh gojës dhe kurrë nuk nxirrte gjë prej saj. E tillë ishte natyra dhe formimi i tij, ndaj edhe une nuk e pyeta. Natyrisht, kohët e fundit edhe unë dija jo pak gjëra që kishin ndodhur kohët e fundit, sidomos pas shtyrjes së papritur të konferencës së Partisë së rrethit të Korçës ku ai ishte i deleguari Byrosë Politike dhe kthimin e tij urgjent në Tiranë me kërkesën e Enverit, dija gjithashtu prishjen e shpejte e te papritur te fejeses së djalit të kryeministrit, Nelit(Skenderit) me Silven, autakritikën indirekte të Mehmetit në konferencën e Korçës kur duke folur për rolin dhe përgjegjësinë e prindërve e të familjes në edukimin e femijëve, ndër të tjera pranoi se edhe ne shokët e udhëheqjes mund të gabojmë ndonjëherë në qendrimin ndaj femijëve.

Sakaq, më kishte bërë pështypje qëndrimi dhe marrëdhëniet e ftohta midis Enverit e Mehmetit në Kongresin e Partisë e pas tij, moszgjedhja e Mehmetit në Sekretariatin e K.Q. sikurse pritej etj. Pra, e ndjeja si shumë shokë të tjerë se diçka stononte kohët e fundit në raportet e kryeministrit me kupolën e lartë, por as që mund ta imagjinoja se punët kishin arritur pikën e shpërthimit të pashmangshëm…

Në këto rrethana Mehmet Shehu priti delegacionin qeveritar të Rumanisë…

Plot dy ditë para tragjedisë. Me sa më kujtohet ishte një takim i planifikuar më herët. Asokohe po dhe më parë midis dy vendeve tona kishte pasur mosmarrveshje të karakterit politik. Udhëheqja politike rumune kishte kohë që tatonte pulsin dhe bënte përpjekje për zbutjen dhe kapërcimin e divergjencave politike e ideologjike me Partine e Punes së Shqipërisë, të krijuara qysh në vitet ’60 , në Konferencën e 81 partive komuniste në Moskë.

Një vit më parë, pra më 1980, rumunët kishin kërkuar nëpërmjet ambasadës shqiptare në Bukuresht që ministri i Tregtisë së Jashtme të Shqiperisë, Nedin Hoxha, me rastin e vizitës së tij në Rumani për nënshkrimin e marrëveshjes tregtere midis dy vendeve, të vizitonte, përpos të tjerave, edhe një komitet partie të Partisë Punetore Rumune. Kësaj ambasada shqiptare në Rumani, sipas porosisë së marrë nga Tirana, iu përgjigj prerë e pa asnjë koment se “ju (rumunet) e dini mirë qëndrimin e Partisë sonë për këtë çështje”. Pra, iu pergjigj negativisht.

Me gjithë këtë përgjigje, rumunët nuk i ndërprenë përpjekjet në këtë drejtim. Sikurse u fol në atë kohë dhe siç është shkruar në shtypin e pas viteve ’90, ata kishin arritur të siguronin për veten e tyre edhe një vizite “sindikaliste” në Shqiperi. Vetëm pak muaj para se të vinte delegaciani qeveritar tregtar, Shqiperine e kishte vizituar nje delegacion i Bashkimeve Sindikale Rumune. Atë e kishte pritur edhe vetë Enver Hoxha. Nuk dihet akoma asgje përse erdhi ky delegacion, pse e priti Enver Hoxha dhe as çfarë u bisedua në këtë pritje.

Çfarë çështjesh u trajtuan në takimin zyrtar midis kryeministrit dhe delegacionit qeveritar të Rumanisë, përtej këtij konteksi mosmarrveshjesh ideologjike?

Kryeministri Mehmet Shehu, pas pershendetjes së rastit, ia dha fjalen K. Burtikes. Eshtë në traditën e popullit tonë, iu drejtua ai, që fjalën e parë t’ia lemë mikut. Po ju dëgjojmë. Që në fillim më ra në sy që Mehmet Shehu nuk i drejtohej K. Burtikes as me ” shoku” dhe as me “zoti”, por me “Ju” dhe gjatë tërë takimit ai asnjëherë nuk e përmendi fjalën “shoku”, për të cilën disa muaj më vonë do të me kërkohej të jepja sqarime. Ndërsa rumuni i drejtohej Mehmet Shehut vetëm me “shoku kryeministër”.

Cili ishte reagimi i kreut të delegacionit të Rumanisë pas kësaj sjellje të Mehmetit?

Në fjalën tij zvëndëskryeministri rumun falënderoi kryeministrin shqiptar për pritjen që i kishte rezervuar pa harruar të shprehte kënaqësinë edhe për mikëpritjen që kishte gjetur në Ministrinë e Tregtisë dhe kudo ku kishte shkuar për vizita në vendin tonë. Më pas ai u ndal në lidhjet dhe miqësinë tradicionale historike midis popullit rumun e atij shqiptar, në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në mundësitë e zgjerimit të tyre në fusha me interes të përbashkët. Në vazhdimfoli për vështirësitë ekonomike që po kalonte Rumania dhe për bllokadën që i bënin vendet kapitaliste perëndimore.

Shprehu sakaq pakënaqësinë edhe ndaj disa vendeve lindore, partnere tregtare e miq të Rumanise, pa i përcaktuar me emër, që nuk po e ndihmonin sa duhej, se i bënin presione, nuk zbatonin marrëveshjet e kontratat e nënshkruara, nuk lëvronin mallrat në afatet e përcaktuare, se nxirrnin pengesa, bënin presione, etj. Në retorikën e tij ai donte të linte të kuptohej se Rumania, për shkak të “pozicionit gjeografik”, siç u shpreh ai, ishte në një situatë shumë të vështirë ekonomike dhe politike, madje “më të vështirë se Shqipëria”, pohim ky që diplomatë e zyrtarë të ndryshëm të ministrisë së jashtme rumune ua kishin shprehur herë pas here diplomatëve shqiptarë në Rumani.

Qëllimi i kësaj retorike të gjatë kishte qenë diku gjetkë. Në përfundim të “ekspozesë” për gjendjen e vështirë të Rumanisë, ai e tha troç që udhëheqja rumune ishte e interesuar dhe plotësisht e gatshme t’i zgjeronte marrëdheniet shtetërore, ekonomike, tregtare, kulturore etj., me Shqipërinë, se ajo mendonte që tashmë kishte ardhur koha e momenti dhe interesi i përbashkët e kërkonte që të rivendoseshin edhe marrëdheniet partiake midis Partisë Punëtore të Rumanisë dhe Partisë së Punës së Shqipërisë. Një propozim ky krejtësisht i papritur për atë kohë, tepër i çuditshëm për momentin kur shtrohej, jashtë çdo norme e rregulli për vendin ku bëhej dhe personit që i drejtohej. Të gjithë ne që asistonim në këtë takim mbetëm të habitur, u pamë në sy me njëri-tjetrin dhe po prisnim se si do të reagonte e do t’i përgjigjej kryeministri shqipter.

Pra, delegacioni qeveritar rumun ofroi përmirësimimin e raporteve politike ndërmjet dy vendeve të atakuara qysh në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në vitin ’60…

Kjo ishte si një rrufe në qiell të pastër. Kur kishim vite e vite që ishim divorcuar politikisht e ideologjikisht me Bukureshtin, që kur kishte ndodhur përplasja e madhe në mbledhjen e 81 partive në Moskë, vintë kështu oferta e rumunëve për rivendosjen e marrdhënieve ndër partiake. Ca më tepër kjo e shprehur nga kreu i një delegacioni qeveritar me agjendë tregëtare…

Cili ishte reagimi i Mehmet Shehut pas kësaj oferte?

Mehmet Shehu e dëgjoi me vëmëndje e qetësi të sforcuar ligjëratën e të dërguarit rumun, e falënderoi atë për konsideratat dhe fjalët e mira që shprehu për Shqipërinë, për ekspozenë që i bëri gjendjes dhe situatës së Rumanisë. Pas kësaj, vuri në vëmendjen e mysafirit gati telegrafisht situatën për zhvillimin ekonomik e shoqeror të Shqipërisë dhe mbi objektivat e saj për të ardhmen.

Pastaj u ndal në mundësitë e mëdha, në dobinë e dyanëshme që kishte zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike, tregtare, kulturore, tekniko-shkencore etj., midis dy vendeve, dhe se qeveria shqiptare ishte e gatshme dhe e interesuar se do të bënte gjithçka mundej për zgjerimin e tyre.

Po për ofertën që hodhi në tavolinë mysafiri rumun për rivendosjen e marrëdhënieve politike, si u përgjigj kryeministri Shehu?

Kjo erdhi menjëherë pas kortezisë së mikpritjes. Tashmë, nuk bëhej fjalë më për kortezi. Mënyra si e hodhi kreu i delegacionit rumun ofertën e rivendosjes së marrdhënieve politike dukej haptazi, si një provokacionm sado i kamufluar që ishte. Këtu Mehmet Shehu e kapërceu sjelljen diplomatike. Qartë, prerë dhe me dhe me ton të ngritur gati në shpërthim, iu kthye mysafirit rumun: Kjo çëshjtja e fundit që ju shtruat, këtu ndajmë mendime të kundërta. Së pari, ne, shqiptaret, asnjëherë nuk i kemi përzier marrëdhëniet shtetërore me ato partiake, politike e ideologjike. Së dyti, nuk është udhëheqja shqipetare, por ajo rumune, që i dëmtoi marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që i prishi marredheniet midis dy partive, PPSH dhe PPR.

Dhe së fundi, vetëm kur udhëheqja juaj të deklarojë boterisht se tërheq dhe hedh poshtë si të pavërteta e shpifje gjthçka që Georgiu Dezh tha ne sallën “Gjeorgjevskaja” në mbledhjen e 81 Partive në Moskë në adresë të Partisë sonë dhe udhëheqjes së saj,vetem atehere ju mund të vini e të kërkoni të bisedohet me udhëheqjen e PPSH për normalizimin e marrëdhenieve me Partine tone.

Si e priti këtë përgjigje kreu i delegacionit rumun?

Kreu i delegacionit rumun K. Burtika pas kësaj ndërhyrjeje të rreptë të Mehmetit, mbeti si i ngrirë, u bë meit në fytyrë, nisi të belbëzojë nëpër buzë, diçka desh të thoshte që nuk dinte nga ta niste, por Mehmet Shehu, duke u ngritur në këmbë, ia preu: Me kaq mbaruam, nuk kemi çfarë të bisedojmë më, rrugë të mbarë, dhe i dha dorën. Të gjithë u ngritën dhe dolën në heshtje.

Pra, mund të themi se ishte një takim i dështuar…

Më shumë se kaq, dështoi misioni provokativ i rumunëve, i të famshmit delegacion qeverityar tregëtar. Veçe la pas një shije të hidhur, enigma, pikepyetje e hamendje të shumta. Ç’ishte ky mision? Kush qendronte pas rumunëve? Kush e dërgoi? Përse bëhej pikërisht në këtë kohë një tentativë e tillë kur dihej se vetem dy javë më parë në Kongresin e 8-të të Partisë gjithçka ishte thënë qartë e prerë? Përse kjo kërkesë i drejtohej Mehmet Shehut, kryeministrit të Shqipërisë dhe jo Enver Hoxhës, sekretarit të Parë të PPSH-së, i cili jo shumë kohë më parë kishte pritur delegacionin “sindikalist” rumun?

Përse në këtë rast për çështje partiake nuk u ndoqën si zakonisht rrugët e kanalet partiake? Rumunët e dinin shumë mirë se Kryeministria nuk ishte vendi ku mund të shtroheshin, të diskutoheshin e të zgjdheshin problemet partiake, se ai nuk ishte personi i duhur me të cilin mund të diskutoheshin çështje kaq të rëndësishme të marredhenieve midis dy partive. Ata e dinin shume mire se Mehmet Shehu nuk ishte i gjithëpushtetshëm, nuk ishte sekretar i Parë i PPSH, se në Shqipëri sikurse edhe në vendin e tyre dhe në të gjitha vendet e Lindjes, kryeministri, pra Mehmet Shehu, sado i fuqishëm të dukej apo të ishte, nuk mund të ndryshonte vijën politike e ideologjike të PPSH dhe se këtë mund ta bënte vetëm Enver Hoxha, që ishte sekretar i Parë i KQ të PPSH. Përse bëhet atëherë ky provokim, çfarë qëllimi kishte ai?

Çfarë fsheh fakti që brenda muajsh vijnë në Shqipëri dy delegacione rumune njëri pas tjetrit: i pari, nën petkun sindikalist dhe i dyti, nën petkun e delegacionit qeveritar tregtar që pritet nga kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, dhe befasisht i kërkohet rishikimi i një çështje kaq të rëndësishme partiak, i marrëdhënieve midis dy partive? A mos vallë ishte edhe ky një kurth që iu ngrit Mehmet Shehut në prag të mbledhjes që ishte gatuar për të nesërmen, të mbledhjes së famshme të 17 dhjetorit të Byrosë Politike, ku u vulos fundi tragjik i Mehmet Shehut, kryeministrit më rezultativ e më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë?

Çfarë flitej mes jush bashkëpunëtorëve të afërt të Mehmetit në atë kohë?

Kush guxonte të fliste për gjëra kaq delikate. Përgjigjen e këtyre enigmave e dinin veten skenaristët dhe organizatorët e këtij misoni. Historia padyshim do ta zbardhë të vërtetën, ajo vonon por nuk harron. Veçse këtu dua të vë në dukje se pak muaj pas “vetevrasjes” së Mehmet Shehut, në korrik 1982, hetuesia e Tiranës, porpos të tjerash, kërkoi me këmbëngulje disa herë të mësonte nga unë se si e priti Mehmet Shehu delegacionin rumun, çfarë bisedoi me të, si iu pergjigj kërkesave të tyre dhe çfarë u premtoi. Pohova ato që kisha dëgjuar dhe ato çfarë thashë këtu, por hetuesi F.K. insistonte dhe bënte presion se deklarimet e mia nuk ishin të sakta, se po fshihja të vërtetën dhe kërkonte që të pranoja e pohoja se Mehmet Shehu i kishte premtuar K. Burtikes se do t’i studionin kërkesat dhe propozimet e palës rumune etj.

Iu përgjigja prerë se e vërteta ishte ajo që kisha deklaruar dhe se për këtë le të shikoheshin shënimet e mbajtura nga stenografistët e aparatit të Këshillit të Ministrave dhe për vertetësinë e pohimeve të mbaja çdo përgjegjësi.

Vetëm për takimin me delegacion rumun iu thirrën në hetuesi pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut?

Më bënë dhe një pyetje tjetër pas asaj të takimit me delegacionin rumun. Ishte diçka shumë e çuditshme për mua. Ju kini qenë prezent, më tha hetuesi, kur Mehmet Shehu para dy vjetësh ka pritur ambasadorin jugosllav në Tiranë me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Nuk më kujtohet i thashë. Të kujtohet të kujtohet, ma bëri ai, bile të kujtohet dhe ajo shprehja e Mehmetit që uroi ambasadorin rus për një shërim të shpejt të Titos. Më fol çfarë di për këtë pritje, më tha ai. Siç dihet në fund të vitit 1979 Tito ishte i sëmurë me kancer dhe në maj 1980 ai vdiq.

E kundërshtova me vendosmëri dhe me fakte duke i thënë: Së pari, në dijeninë time nga viti 1977 deri në dhjetor 1981 Mehmet Shehu nuk ka pritur asnjë ambasador jugosllav. Kjo mund të verifikohet shumë leht, sepse të gjitha pritjet jane te botuara ne gazeten Zeri i Popullit. Mund te verifikohen edhe në Arkivin e Ministrisë së Jashtme. Së dyti, unë nuk kam marrë pjesë në asnjë pritje që kryeministri bënte me ambasadorë të ndryshëm me rastin e paraqitjes nga ana e tyre e letrave kredenciale. Së treti, nuk kam parë dhe nuk kam kaluar nëpër duart e mia asnjë procesverbal ku Mehmet Shehu të ketë pritur ndonjë ambasador jugosllav.

Stenogramat e pritjeve të ambasadorëve shiheshin më parë nga Ministria e Jashtme, vinin tek unë për redaktim dhe pasi i shikonte dhe i firmoste vetë Mehmet Shehu i ktheheshin Ministrisë së Jashtme për arkivim. Kjo praktikë, i thashë hetuesit, ishte vendosur shumë vite më parë se unë të emërohesha ndihmës i kryeministrit Mehmet Shehu. Hetimi, pyetje dhe përgjigjet e mia zgjatën gati një gjysmë dite. Pasi nuk arriti të merrte pohimin tim për këto dhe shumë akuza të tjera hetuesi më paralajmeroi rishtazi se gjithçka do t’i verifikonte dhe nëse nuk kisha deklaruar të vërtetën do të përgjigjesha penalisht. Me kaq, hetimi u mbyll, por çështja e shtruar nga delegacioni qeveritar tregtar rumun dhe lidhja e saj me sajesën e pritjes së ambasadorit jugosllav mbart edhe sot shumë enigma.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Punime në rrjet, në këto vende do të ketë sot ndërprerje të rrymës

Story i radhës

Besart Zeneli tregon kë e sheh fitues të Big Brother VIP Kosova 2

Të fundit nga

ShkoLartë