Të patën 90 persona kanë vdekur nga uragani Helene që ka goditur pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet po vazhdojnë operacionet e kërkimit të trupave të tjerë, teksa uragani Helene ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë shkatërrimin e rrugëve dhe urave dhe vërshime nga Florida deri në Virxhinia.
Stuhia është karakterizuar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu dhe ka goditur Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhian, Floridën, Tenesinë dhe Virxhinian.
Zyrtarët kanë thënë se druajnë se do të gjejnë trupa të tjerë të pajetë.
Rrjeti i komunikimit është dëmtuar në shumë zona dhe qindra njerëz ende nuk kanë mundur të kontaktojnë familjarët e tyre, të cilët i kanë regjistruar si të zhdukur.
Dëmet nga stuhia e fuqishme konsiderohen se mund të arrijnë nga 15 miliardë dollarë deri në mbi 100 miliardë dollarë, teksa autoritetet thanë se linjat e rëndësishme të komunikimit dhe ato të transportit janë dëmtuar. Megjithatë, autoritetet thanë se vlera reale e dëmeve do të dihet pasi autoritetet të pastrojnë zonat e prekura dhe të vlerësojnë dëmet.
Në Karolinën e Veriut, pothuajse të gjitha viktimat janë regjistruar në qarkun Bunkombe, ku vdiqën 30 persona, sipas autoriteteve.
“Kjo është një katastrofë me përmasa historike”, tha guvernatori Roy Cooper për CNN. “Personat me të cilët kam biseduar në perëndim të Karolinës së Veriut më kanë thënë se kurrë nuk kanë parë diçka të tillë”.
Ai shtoi se ekipe të kërkim-shpëtimit nga 19 shtete dhe nga Qeveria federale janë dërguar në këtë shtet.
Pothuajse 2.7 milionë konsumatorë në mbarë jugun e SHBA-së kanë mbetur pa energji elektrike të dielën, thanë nga Departamenti amerikan i Energjisë, apo 40 për qind më pak sesa më 27 shtator.
Në Karolinën e Jugut janë raportuar 25 viktima, në Xhorxhia 17 dhe 11 në Florida, sipas autoriteteve në këto shtete.
Duke cituar zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, CNN ka raportuar se numri i përgjithshëm i viktimave është 93.
Presidenti amerikan, Joe Biden, planifikon që të vizitojë zonat e prekura gjatë kësaj jave, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
“Është tragjike”, u tha Biden gazetarëve një ditë më parë, duke u zotuar se do t’iu ofrojë ndihmë për rimëkëmbje shteteve të goditura.
Uragani Helene goditi Floridën të enjten në mbrëmje, me erëra dhe shira të furishme, që shkatërruan shtëpi e infrastrukturë tjetër./REL
Burimi: botasot.info