Në ambientet e Qendrës Korrektuese Edukative për të Mitur në Lipjan është zhvilluar sot një aktivitet edukativ i fokusuar në teknologji, media dhe kodim, me pjesëmarrjen aktive të të rinjve që ndodhen në këtë institucion.
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të eksplorojnë tema kyçe si kodimi, algoritmet e mediave sociale, si dhe lajmet e rreme. Fokusi ishte në ndikimin që kanë algoritmet në rrjetet sociale dhe rëndësinë e edukimit mediatik në epokën digjitale.
Në njoftim thuhet se, përveç pjesës teorike, të rinjtë u njohën edhe me teknologji moderne si printimi 3D, si dhe robotët edukativë Maqueen dhe mBot, duke e bërë sesionin interaktiv dhe tërheqës për pjesëmarrësit. Ky aktivitet është pjesë e iniciativës “Qendra e Integruar Kompjuterike në Burgjet e Kosovës”, një projekt i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i administruar nga Kosovo United States Alumni (KUSA).
Qëllimi i këtij programi është të promovojë integrimin, arsimimin dhe aftësimin teknologjik të të rinjve brenda sistemit korrektues, duke kontribuar në përgatitjen e tyre për një të ardhme më të mirë dhe të suksesshme pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
Burimi: botasot.info