Të hënën, më 28 shtator, në Tiranë do të zhvillohet Konferenca Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Në aktivitet do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Konferenca do të mbledhë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve europiane.
Diskutimet do të përqendrohen te procesi i zgjerimit të BE-së, reformat, stabiliteti dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Aktiviteti do të përshëndetet nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi; Kryeministri Edi Rama; Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa; Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë.
Në kuadër të konferencës do të zhvillohen tre sesione me temat:
* Agjenda e zgjerimit të BE-së dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit;
* Zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë;
* Udhëheqja parlamentare dhe angazhimi në avancimin e integrimit europian.
Konferenca do të moderohet nga Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe nga përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse.
Burimi: botasot.info


