Një dekadë më parë programimi ishte një “mbretëri” e dominuar prej kompanive të teknologjisë. Teknologjia po ndryshon aq shpejtë, saqë liderët e biznesit kanë kuptuar se edukimi i lartë nuk është e vetmja rrugë që e bën një zhvillues të suksesshëm.
Klasa online, forume, hakathonë e bootkampe profesionale janë një trend i ri që vitet e fundit kanë krijuar mundësi për të rinjtë të zhvillojnë aftësi të reja kryesisht në fushën e programimit jashtë ambientit tradicional shkollor.
Vjeshtën e vitit të kaluar, ICTSmedia dhe Twig nisën një projekt ambicioz dhe risi për Shqipërinë, një program edukimi profesional për të frymëzuar një gjeneratë të re inxhinierësh softueri quajtur Hoxton Academy.
Një kurrikulë e zhvilluar nga profesorë, ekspertë dhe akademikë Britanikë që kanë trajnuar inxhinierë softueri të cilët kanë punuar pranë kompanive shumëkombëshe si Apple, Amazon, Facebook apo Netflix, Hoxton Academy krijoi mundësinë për trajnimin e kohortës së parë të studentëve të cilët mësojnë çdo gjë që ju nevojitet për tu bërë një zhvillues softueri.
Angazhimi gjashtë mujor me ekspertë, profesorë dhe akademikë të shquar Britanikë ndihmoi rinjtë të hedhin hapat e parë të tyre në programim përpara se të përgatiten për të nisur punën si inxhinierë të mirëfilltë softueri në kompani vendase dhe të huaja.
Me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, bashkëthemeluesit të ICTSmedia z. Kushtrim Shala dhe themeluesit të Twig z. Geri Çupi, u finalizua programi i parë i trajnimit nga Hoxton Academy më 29 Prill në ceremoninë e diplomimit të studentëve.
Duke afirmuar nevojën e madhe që Tirana ka për kodues, z. Veliaj tha se sfida e radhës ishte që kryeqyteti të ketë 10 mijë kodues në 1-2 vitet e ardhshme.
“Sot në Tiranë kemi rreth 4800 kodues ndërsa në 2 vitet e ardhshme synojmë që koduesit të përbëjnë rreth 1% të popullsisë së Tiranës.”
Me një rol kritik në inovacionin e softuerit por edhe zhvillimin e ekosistemit lokal të inovacionit, inxhinierët e softuerit shkruajnë sot të ardhmen e teknologjisë.
Ai tha se Bashkia Tiranë ishe duke negociuar me akademi të njohura kodimi në botë për të sjellë ekspertizën e tyre në Tiranë.
Nën moton “Building next generation of software developers”, Hoxton Academy synon që të aftësojë mbi 1 mijë inxhinierë softueri në 5 vitet e ardhshme. Të rinjtë që bëhen pjesë e trajnimit të Hoxton Academy pas diplomimit punësohen menjëherë në një prej kompanive për dy vitet e ardhshme të cilat kanë financuar periudhën studimore.
Hoxton Academy ka ndërtuar një rrjet të gjerë partnerësh dhe kompanish lokale dhe te huaja të cilat sigurojnë bursat dhe punësimin e të rinjve si Twig, Baboon, Hajde, Local Web, Monochain dhe Mext.
Për të eleminuar mungesën e zhvilluesve dhe për të fuqizuar kompanitë që jo vetëm të plotësojnë, por të tejkalojnë nevojat e tyre për inxhinierë softueri, Hoxton Academy beson se ky është momenti për të krijuar shtigje të prekshme të cilat i hapin rrugë një brezi të ri zhvilluesish softueri.
Aplikimet për tu bërë pjesë e kohortës së dytë të Hoxton Academy e cila nis këtë muaj tashmë janë hapur përmes uebfaqes zyrtare https://hoxton.academy/.
Nëse dëshironi të ndryshoni të ardhmen, bëhuni një inxhinier softueri.