Sipas të dhënave të këtij viti të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), që ka bërë një krahasim në 229 vende të botës por edhe individualisht sipas kontinenteve, Serbia është bindshëm vendi i parë në botë për shkallën e lartë të vdekshmërisë. Sipas këtyre të dhënave, Serbia ka një koeficient 16.39 vdekje për 1000 banorë në vit, shkruan Danas.
Ky koeficient llogaritet si mesatarja vjetore e vdekjeve për 1 mijë banorë.
Në top dhjetëshe pas Serbisë është Rumania, Lituania, Letonia, Bullgaria, Ukraina, Rusia, Estonia, Bjellorusia dhe Kroacia.
Të gjitha këto vende janë evropiane, ndaj i njëjti grup zë dhjetë vendet e para në listën e vendeve evropiane me vdekshmërinë më të lartë.
Ekspertët në Serbi dhe shoqatat e mjedisit atje i kanë lidhur këto shifra me nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës.
Shoqata qytetare “Ekostraza”, që ka publikuar këto të dhëna, ka potencuar gjithashtu se Serbia ka shkallën më të lartë të fëmijëve të sapodiagnostifikuar me ndonjë lloj të kancerit.