Shkup, 30 nëntor – Avokatët e të akuzuarve për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot paralajmëruan ankesë për aktgjykimin me të cilin të akuzuarve Anxhelo Gjorgjievski dhe Klementina Levkovska në Gjykatën Themelore Penale sot u është shqiptuar dënimi me burg nga 18 vjet, përderisa, të akuzuarit Andrej Kostovski 16 vite për vepër penale “vrasje”.
Avokati i të akuzuarit Kostovski, Elenko Millanov tha se do ta ankohen për aktvendimin në lidhje me bazën dhe lartësinë.
Avokati i të akuzuarës Levkovska, Emil Gugutçevski tha se dënimi i përcaktuar është shumë i lartë.
“Aktgjykimi do të ankimohet në çdo rast. Dënimi i përcaktuar është shumë i lartë. Besojmë se ndaj të akuzuarës sonë Klementina, kjo vepër penale vrasje nuk ekziston në asnjë rast. Po, ajo ka bërë disa veprime, goditje. Megjithatë, nga goditja e saj nuk është shkaktuar vdekja në asnjë rast”, tha ai.
Ile Tanev avokat i të akuzuarit Gjorgjievski, gjithashtu, vlerëson se dënimi është shumë i lartë.
“Tashmë po paralajmërojmë ankesë. Mendoj se vendimi është drakonik, dënimi është shumë i lartë. Nuk mendoj se një tragjedi zgjidhet nga një tragjedi tjetër. Kjo për ne paraqet padrejtësi të madhe, por nuk mund t’ju them rrethanat në të cilat do të bëjmë ankesë sepse duhet ta marrim me shkrim. Ndoshta do të jetë në fushën e kualifikimit juridik, siç e kemi paralajmëruar që në fillim”, tha ai.
Sipas tij, nuk ekziston as dyshimi më i vogël se ekziston paramendim te të akuzuarit.
Prokurorja Tanja Trajçevska, tha se do të përmbahen nga komentet deri në marrjen e aktgjykimit në formë të shkruar.
“Sot e dëgjuam aktgjykimin, derisa të marrim aktgjykimin me shkrim, do të përmbahemi nga komentimi i tij. Dënimi është brenda dënimit të paraparë me ligj, pra është vendim i gjykatës. Faktet janë vlerësuar si duhet”, tha ajo.
Këshilli Gjyqësor në krye me gjykatësen Elena Ilievska Josifoviq deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit e vazhdoi masën paraburgim për të akuzuarit.
Në këtë proces, Prokuroria Themelore Publike Shkup i ndjek të pandehurit Anxhelo Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski për veprën penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se më 7 prill, para një lokali nate në parkun e qytetit në Shkup, së bashku e kanë privuar nga jeta Denis Tot.
Gjatë procedurës dëshmuese, të akuzuarit, në fillim deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.
Prokuroria më pas paraqiti prova në lidhje me aktakuzën. U prodhuan prova materiale, përfshirë video incizimin e ngjarjes konkrete, dëshmitë e dëshmitarëve okularë të ngjarjes, si dhe të ekspertëve të fushës së mjekësisë ligjore dhe psikiatrisë.
Mbrojtja gjatë procedurës së provave përmes provave të paraqitura dhe deklaratave për media ka aluduar për rikualifikimin e veprës, pasi sipas tyre, vepra e “vrasjes” për të cilën akuzohen të pandehurit mungon paramendimi. Ata kanë marrë në pyetje edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes si dhe ekspertë të fushës së psikiatrisë dhe psikologjisë dhe me sugjerimin e tyre kanë dëshmuar edhe mjekët që kanë trajtuar të plagosurin Denis Tot pas pranimit në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Kurim Intensiv.
Pas përfundimit të procedurës dëshmuese, prokurorja Tanja Trajçevska kërkoi aktvendim gjykues, ndërsa mbrojtja dhe të akuzuarit, lirues.
Burimi: zhurnal.mk