Të gjithë konstatuan se “Balancuesi” nuk funksionoi siç duhet, por nevojitet ligj i ri për përfaqësim të drejtë, sepse tashmë është kategori kushtetuese. Kështu ui përgjigj Arben Taravari, ministër i shëndetësisë, pjesë e koalicionit VLEN, reagimeve për shfuqizimin e Balancuesit. Ai shpreson se për ligjin e ri të cilin e kanë përgatitur, do të debatohet javën e ardhshme dhe sipas paralajmërimeve të tij do të përfshijë të gjitha grupet e margjinalizuara në shoqëri, jo vetëm përfaqësimin etnik.
-Ligj i ri për të cilin shpresoj se javën e ardhshme do të ketë debat dhe do të jemi në koordinim me partnerët e koalicionit. Nga të gjithë është konstatuar se Balancuesi nuk funksionon siç duhet dhe na nevojitet ligj për përfaqësim të drejtë jo vetëm etnik, po edhe për të gjithë ato kategori që do t’i quaj grupe të margjinalizuara në shoqëri. Ja them, na duhet debat publik, na duhet sinkronizim, për shkak se përfaqësimi i drejtë tashmë është kategori kushtetuese dhe çdoherë kur diçka është kategori kushtetuese duhet të ekzistojë ligj për të njëjtën, tha Arben Taravari nga VLEN.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se në koalicionin qeveritar është diskutuar për gjetjen e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë. Qëndrimi i tij është si i Taravarit dhe partive të tjera, sigurisht përveç BDI-së, se ka kaluar koha për Balancuesin.
-Ne kemi biseduar në suaza të koalicionit, koalicioni ka një mekanizëm demokratik, Badinteri është kategori kushtetuese, ne kemi folur shumë herë në të kaluarën se jo vetëm që ka kaluar koha e Balancuesit, por edhe po keqpërdoret dhe duhet fshirë, si dhe të gjendet mekanizëm ligjor me të cilin do të rregullohet përfaqësimi i drejtë, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Gjykata Kushtetuese solli vendim disa ditë më parë për shfuqizimin e kërkesës për deklarimin e përkatësisë etnike gjatë punësimeve, e si rrjedhojë edhe heqjen e “Balancuesit”. Ky vendim u bazua në një iniciativë të dorëzuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, pas ankesave të dorëzuara ndaj tyre për keqpërdorim të përkatësisë etnike gjatë aplikimit për punësim. Përfaqësimi i drejtë në institucione ishte një nga postulatet kryesore kushtetuese pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit ushtarak në vitin 2001, ndërsa “Balancuesi” si vegël u vendos në vitin 2016.
Burimi: tv21