Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për VOA, ka deklaruara se nuk mund të jep sqarime për ndryshime në Kodin Penal, pasi nuk është ekspert i drejtësisë. Ai tha se pret që ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili është kuadër i ASH-së, duhet të jep sqarime para organeve partiake, nëse ndryshimet janë në përputhje me ligjet evropiane.
“Tetë deputetët e ASH-së nuk votuan për këto ndryshime të Kodit Penal. Unë nuk jam ekspert i juridikut, i drejtësisë, sidomos i Kodit Penal dhe nuk mund të jap sqarime, nuk e di se si janë këto ligje në shtetet evropiane. Ju e dini se ne jemi një hap para fillimit të negociatave me BE-në dhe uroj që ministri i Drejtësisë, i cili është ministër nga radhët e ASH-së, ta bëjë një analizë dhe para organeve partiake të na tregon a është ky ndryshim i ligjit në përputhshmëri me ligjet evropiane, apo është jashtë saj. E kam një informacion se ministri nuk ka pranuar ta nënshkruaj dhe këtë ligj e ka nënshkruar, apo propozues është zëvendësministri i Drejtësisë dhe kryeministri, në ditët në vijim do ti analizojmë të gjitha rrethanat. Është e vërtetë që deputetët tanë e kanë votuar rendin e ditës në parlament për atë ditë dhe kjo pikërisht është propozuar atë ditë si pikë shtesë në rendin e ditës në seancën e parlamentit”, tha Taravari.