Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas vendimit të Apelit për rigjykim të rastit “Target Fortesa”. Kreu kwsaj partie, Arben Taravari tha se sistemi i drejtësisë tanimë është në agoni dhe shteti ka kapituluar para krimit dhe korrupsionit. Sipas tij rikthimi në pikën zero i lëndës së Mijallkov për përgjim masiv të qytetarëve të vendit është dëshmia më e mirë për këtë. “Arsyetimi se në shkallën e parë janë bërë lëshime, vetëm se dëshmon rrjetin e organizuar të krimit në drejtësi, ku gjykatat themelore qëllimisht bëjnë lëshime për t’i dhënë alibi gjykatës së apelit që të shfuqizojë vendimet”, tha Taravari dyke shtuar se në RMV nuk ka më siguri ligjore dhe as drejtësi të pavarur.
Arben Taravari
“Institucionet me në krye Presidentin e vendit kanë dezertuar nga lufta kundër korrupsionit dhe thonë publikisht se nuk kemi kapacitet për veting. E vetmja shpresë ështe që ShBA-të të nisin një shok terapi, duke filluar me futjen në listën e zezë amerikane për të larguar nga skena aktorët e korruptuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë. Pra, përveç politikanëve te korruptuar, duhet pastruar edhe sistemin e drejtësisë së kalbur nga murtaja e korrupsionit. Përveç kësaj, urgjentisht nevojitet reformë e tërësishme e sistemit të drejtësisë”.