Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari me dëshmi të dokumentuara hodhi poshtë akuzat nga një anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK).
“Nuk kemi të bëjmë me objekt kolektiv banimi (objekt komercial), por me shtëpi individuale banimi dhe objekti nuk është ndrëtim i egër si në komunat e Çairit, Sarajit, Strugës etj, por bëhet fjalë vetëm për një pjesë shtojcë, me devijim prej 3 metrash nga leja e ndërtimit. Për rastin në fjalë Komuna, respektivisht inspektorët komunalë të ndërtimit, të cilët janë të pavarur në punën e tyre, i kanë ndërmarrë në kohë të gjitha masat e parapara me ligj, gjë që mund ta argumentoj me aktet që ia vë në dispozicion publikut” – theksoi Taravari.
Në vazhdim ai sqaroi të gjitha detajet për masat e ndërmarra:
“Më 20.07.2018 është bërë e plotfuqishme Leja e ndërtimit, kur edhe kanë filluar punët ndërtimore. Kur është konstatuar se investitori ka devijuar nga gabariti, respektivisht ka dalë 3 metra para me objektin, inspektorët kanë dalë në vendngjarje më 16.10.2018 ku kanë kërkuar që investitori të mënjanojë pjesën që nuk është paraparë me leje dhe në të njëjtën ditë kanë përpiluar Procesverbal. Meqë investitori nuk ka vepruar konform Vendimit, inspektorët kanë dalë përsëri në vendngjarje më datë 18.03.2021, kur edhe është përpiluar Procesverbal. Për rastin në fjalë është njoftuar edhe Prokuroria dhe me këtë përfundon e gjithë ajo që është në kompetencë të Komunës. Deri më tani nuk kemi Vendim gjyqësor për prishje, ndërsa Komuna, pa një vendim gjyqësor nuk mund të prishë asnjë objekt. Këtë e di çdo jurist, dhe duhet ta dijë edhe anëtari i Komisionit Antikorrupsion” – sqaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Taravari, tha gjithashtu se kjo akuzë nga KSHPK ku shumica e anëtarëve, jo të gjithë, punojnë me porosi dhe diktat nga dyshja qeveritare BDI-LSDM, ka për qëllim të diskreditojë politikisht figurën e tij, njëlloj si Komisioni Kundër Diskriminimit, e sidomos Policia Financiare e cila bënte kontrolle shumë të shpeshta dhe të panevojshme dhe jashtë çdo logjike në Komunën në Gostivarit, por edhe dihet se si përfundoi drejtori i saj. Në fund të konferencës për shtyp, Taravari u përgjigje dhe në pyetje të shumta të gazetarëve.