Shqipëria duket se po zvogëlohet e plaket me ritme të shpejta, kjo pasi numri i lindjeve po tkurret. Bazuar te të dhënat e Institutit të Statistikave gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, një rënie me 2.8% krahasuar me vitin 2020.
Ndërsa gjatë 3 muajve të parë të 2022, numri i lindjeve është 6.056, duke shënuar një rënie me 4,2 %, kundrejt tremujorit të pare të 2021.
Nga ana tjetër, shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e parë të këtij viti tregon se janë 1.882 vdekje më shumë se sa lindje. Përmbysja e raporteve, ku kohët e fundit vdekjet tejkalojnë numrin e lindjeve, lidhet sipas sociologëve edhe me ekonominë dhe emigrimin e shqiptarëve.
Kalimi nga patriarkaliteti drejt emancipimit të shoqërisë,ku gruaja është edhe më e përkushtuar ndaj karrierës jo vetëm familjes, ndikon që prindërit të jenë më të ndërgjegjshëm se fëmija përvec ushqimit, duhet të ketë të siguruara edukimin dhe mirëqënien me të ardhura të sigurta duke sjell në këtë mënyrë rënien e lindjeve, thonë studiuesit.
Gjithashtu, të dhënat e Eurostat që nga viti 2008 e deri në 2021, tregojnë se shtetet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 756 mijë leje qëndrimi për shqiptarët, ky numër mund të jetë edhe më i lartë pasi ka edhe shqiptarë që jetojnë në Europë pa dokumenta. Lindjet e emigrantëve shtojnë popullësinë e vendeve ku ata jetojnë dhe pakësojnë në këtë mënyrë lindjet në Shqipëri. Një shkak tjetër i rënies së numrit të lindjeve është se ka edhe më pak martesa.
Në 5 vite, 2016-2020 ka mbi 5000 martesa më pak. Ndërsa është shtuar numri i divorceve, ku rekord mban viti 2019 ku nga 22 415 martesa, pati 5860 ndarje. Më tej, të dhënat nxjerrin në pah se në vendin tonë në 6 lindje ka një abort. Në 5 vite nga periudha 2016-2020 sipas raportit më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik janë kryer rreth 26 000 aborte kryesisht nga gra të moshës 20-34 vjec.