Janë mbajtur garat komunale të matematikës për nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta, në Gjilan.
Siç njofton shoqata e matematikanëve, garat janë mbajtur në ambientet e ShFMU “Selami Hallaqi”, ku morën pjesë nxënësit më të mirë nga të gjitha shkollat e komunës.
Në nivelin e klasave të pesta, çmimi i parë është ndarë për dy nxënës të dalluar: Era Behluli nga ShFMU “Selami Hallaqi” dhe Agâh Cinar nga shkolla “Hello”. Ndërsa vendi i dytë u nda për Alfa Kurteshin, po ashtu nga shkolla “Hello”, dhe Nil Hoxhën nga “Selami Hallaqi”. Vendi i tretë i takoi Eni Ademit, një tjetër nxënës i shkëlqyer nga shkolla “Hello”.
Në kategorinë e klasave të gjashta, vendi i parë u fitua nga Ani Kosumi i ShFMU “Rexhep Elmazi”, ndërsa vendi i dytë i takoi Eni Kosumit, gjithashtu nga e njëjta shkollë. Vendi i tretë në këtë nivel u fitua nga Noar Zubaku i ShFMU “Selami Hallaqi”.
Vlen të theksohet se këtë vit, nxënësi i komunitetit turk, Agâh Cinar, zuri vendin e parë për klasët e pesta.
“Ky lajm është sinjal i jashtëzakonshëm për përparimin dhe shtrirjen e pasionit për matematikën përtej komuniteteve”, shkruan shoqata.
Ky aktivitet, sipas shoqatës, kishte për qëllim jo vetëm të evidetojnë talentët e rinj, por edhe të stimulojnë interesin e nxënësve për matematikë.
Ndryshe, shoqata inkurajon edhe më shumë nxënës që në të ardhmen të bëhen pjesë e aktiviteteve të tilla që nxisin shkëlqimin akademik dhe pasionin për matematikën.
Burimi: botasot.info