Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre shkëmbyen akuza me Kinën në një takim të rëndësishëm mbi sigurinë që po mbahet të shtunën në Singapor. Mosmarrëveshjet lidheshin kryesisht me çështje si Tajvani, por lufta në Ukrainë dhe një fjalim në distancë i Presidentit Volodymyr Zelenskiy dominuan takimin.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha më herët, në atë që njihet si Dialogu Shangri-La, se Uashingtoni do të bëjë atë që i takon për të menaxhuar tensionet me Kinën dhe për të parandaluar konfliktin edhe pse Pekini po bëhej gjithnjë e më agresiv në rajon.
Nëpërmjet një fjalimi që u shfaq me video zoti Zelenskiy, i cili ndodhej në Kiev, në një vend që nuk u bë i ditur u tha pjesmarrësve në takim se mbështetja e kombeve të tyre ishte thelbësore jo vetëm për të mposhtur sulmin rus, por për të ruajtur rendin botëror të bazuar në rregulla.
Ai vuri në dukje se Rusia po bllokon portet në Detin e Zi dhe Detin Azov, duke mbllokuar eksportet e produkteve ushqimore drejt tregut botëror.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat janë përplasur muajt e fundit për gjithçka, nga Tajvani, të drejtat e njeriut apo aktiviteti i saj ushtarak në Detin e Kinës Jugore, u përfshinë sërish nga mosmarrëveshjet.
Zoti Austin dhe ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe u takuan të premten dhe përsëritën se duan t’i menaxhojnë më mirë marrëdhëniet e tyre, por sot nuk kishte asnjë shenjë për ndonjë përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë aleatëve të saj, përfshirë Tajvanin.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme ndërsa Republika Popullore e Kinës po ndjek një qasje më shtrënguese dhe agresive lidhur me pretendimet e saj territoriale”. tha ai.
Kina e sheh Tajvanin e vetëqeverisur si një territor të sajin dhe ka thënë se do ta marrë me forcë nëse do të ishte e nevojshme.
Zoti Austin tha se kishte pasur një rritje “alarmante” të numrit të kontakteve të pasigurta dhe joprofesionale midis avionëve dhe anijeve kineze me ato të vendeve të tjera.
Tajvani është ankuar për vite të tëra për misione të përsëritura të forcave ajrore kineze në atë që njihet si zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore dhe zoti Austin tha se ato ishin rritur muajt e fundit./VOA