12
Shkup, 9 tetor – Anëtarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri zhvilluan takim pune me “Klubin e Gjeneralëve”, shoqatë joqeveritare dhe jofitimprurëse që aktualisht bashkon 35 gjeneralë aktivë dhe në pension të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Komisionit, Pavle Arsoski, sqaroi se takimi është me kërkesë të Shoqatës dhe se ka karakter informativ, me qëllim që deputetët që janë anëtarë të këtij trupi punues të njoftohen me punën e “Klubit të Gjeneralëve”, që u themelua në vitin 2012 dhe organizon shumë aktivitete që synojnë afirmimin dhe përmirësimin e potencialit të Armatës dhe sistemit të mbrojtjes.
Kryetari i Shoqatës, gjeneral Orce Jordev, informoi se “Klubi i Gjeneralëve” është anëtar i Asociacionit të Shoqatave në fushën e mbrojtjes dhe se bashkëpunon me shoqata të ngjashme nga rajoni, si dhe në kuadër të BE-së dhe NATO-s.
Shoqata ka botuar monografi për gjeneralët ushtarakë nga vendi (1943-1917), e cila planifikohet të përditësohet në periudhën e ardhshme. Gjithashtu, përkujton përvjetorë të rëndësishëm në histori dhe organizon tribuna mbi çështjet aktuale të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në vitet e kaluara, siç u tha, theksi ishte vënë në afirmimin e qëllimit strategjik të vendit për anëtarësim në NATO. Ndërsa, pas arritjes së këtij qëllimi, fokusi është procesi i integrimit të plotë, përshtatjes dhe transformimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe Armatës në Aleancë.
Si përfaqësues të Shoqatës “Klubi i Gjeneralëve”, në takim morën pjesë edhe gjeneralët në pension, Goranço Koteski dhe Zdravko Popovski.
BURIMI: zhurnal.mk