Ende nuk dihet se si do të duket qeveria e re e Kosovës.
Ndonëse, rezultatet zgjedhore ende nuk janë certifikuar, pikëpyetjet se cilat parti do e formojnë qeverinë janë shumë prezente.
Ka shumë deklarata për koalicione, refuzime e vija të kuqe.
Së fundi, ishte nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ku u shpreh se gjatë javëve të fundit, nuk ka pasur asnjë bisedë mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ka thënë se kryetari Abdixhiku ka pasur takime dhe iniciativa me partitë opozitare, duke përmendur biseda me Bedri Hamzën, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj.
“Asnjëherë nuk ka biseduar me VV-në këto javët e fundit. Ka iniciativë me partitë politike të tjera që vijnë nga opozita. Ajo iniciativë ka shkaktuar takime me Hamzën, Memli Krasniqin, Ramush Haradinaj”, tha Haziri.
Ai tha se LDK është e interesuar për të udhëhequr qeverinë.
Sipas tij LDK do ta ruajë qeverinë stabile.
“Sonte po ju themi njëjtë që e kemi konfirmuar atë që i kemi thënë qytetarëve tonë. Jemi të interesuar për të udhëhequr qeverinë… Tani ky rezultat po na zhvendosë në qëndrime të reja. Ne kemi konfirmuar qëndrimin e njëjtë. Ne e ruajmë qeverinë stabile se programi jonë ka qenë ambiciozë, por i bazuar”, tha Haziri.
Mirëpo, sa do arrijnë ta bëjnë qeverinë partitë opozitare dhe cili pritet të jetë reagimi i LVV-së, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.
Maloku: Nëse ka pasur takime të tilla mes drejtuesve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, pse ato kanë qenë të fshehura nga publiku?
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Albinot Maloku.

Se pari, këto takime të krerëve opozitar i cilësoi si normale dhe të arsyeshme, mirëpo nuk u pajtua me faktin që janë mbajtur të fshehta.
“Nuk ka asgjë të pazakontë ose të panatyrshme në takimet mes drejtuesve të subjekteve politike në vend, sidomos në momentet paszgjedhore që është Republika. Ajo që nuk është në rregull është fakti që, nëse ka pasur takime të tilla siç pohon nënkryetari i LDK-së, z. Haziri, mes drejtuesve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, pse ato kanë qenë të fshehura nga publiku? Këto janë çështje që lidhen me krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve, dhe, si të tilla, janë çështje që duhet të jenë të hapura për publikun”.
Krahas kësaj, tha se mundësitë për formim të qeverisë janë të hapura për çdo kandidat për kryeministër dhe për çdo drejtues subjekti politik.
“Kosova është një republikë parlamentare, ku roli i deputetit është shumë i rëndësishëm. Ai, përmes votës së tij, ka fuqinë për të mundësuar zgjedhjen e drejtuesve të rinj pas zgjedhjeve. Opsionet janë të hapura për çdo kandidat për kryeministër dhe për çdo drejtues subjekti politik që është i interesuar për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, disa çështje janë tashmë të sqaruara në lidhje me prioritetet e atij që është i pari pas procesit zgjedhor; pra, ai ka privilegjin e vendosjes së kursit për formimin e qeverisë”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, Maloku komentoi edhe pozicionin e LVV-së, ku si parti fituese ka të drejtë të fillojë bisedimet me partitë e tjera, nëse veç nuk e ka filluar në fshehtësi.
“Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti që ka dalë i pari pas zgjedhjeve, ka mundësinë dhe përparësinë të krijojë një qeveri stabile, duke shmangur si metod “peshkimin” e deputetëve individualë pas certifikimit të rezultatit, mirëpo të fillojë bisedimet për një koalicion qeverisës të qëndrueshëm me subjektet tjera politike, nëse veç nuk i ka nisur edhe ajo në fshehtësi”, përfundoi Albinot Maloku për “Bota sot”.
Mehmeti: Nuk do të kisha thënë që të punohet prapa shpinës së LVV për formimin e një qeverie nga opozita
Kurse, opinionisti Gani Mehmeti tha se qeveria e re do duhej të formohej nga LVV dhe LDK, ku kërkoi nga kjo e fundit që të lë anash dallimet dhe të bëhet bashkë me partinë fituese.

Po ashtu, ky bashkim do ndihmonte Kosovën në përmirësim të raporteve me SHBA-në dhe do ndikonte pozitivisht në dialogun me Serbinë.
“Pas disa mosmarrëveshjeve mes këtyre dy partive, LVV dhe LDK, do duhej të merreshin vesh dhe ta formonin qeverinë së bashku, jo për hir të diçka tjetër, por për hir të Kosovës. Nuk është mirë edhe për LDK-në që të mos lë anash dallimet e mosmarrëveshjet dhe të bëhen bashkë me LVV-në në këtë mandat. Madje, derisa thuhet se LVV e “largoi” Kosovën nga SHBA, atëherë, LDK do të kishte rastin ta ofrojë Kosovën me SHBA. Kjo i duhet Kosovës edhe aq më shumë për bisedmet me Serbinë, ku do të zgjedhej ekipi nga dy partitë dhe do shtronin, besoj, idetë e dijet e tyre për të dalë nga kjo gjendje e krijuar nga Serbia dhe ndërmjetësuesit e deritanishëm të BE”.
Po ashtu, opinionisti kundërshtoi një qeveri të opozitës, pasi vlerëson se nuk do ishte e ‘shëndetshme’ për Kosovën.
Sipas tij, LVV duhet t’i bëj ftesë LDK-së për koalicion.
“Nuk do të kisha thënë që të punohet prapa shpinës së LVV për formimin e një qeverie nga opozita. Nuk do të ishte e shëndetshme për Kosovën, sepse kanë qenë edhe më përpara dhe nuk kishte rezultate të mira.
Sa i përket LVV do të ishte mirë t’i bëjë ftesë LDK-së për bisedë e të merren vesh.
Me gjasë, tani edhe në LDK nuk është vetëm një kryetar dhe nuk po munden apo nuk po guxojnë të bashkohen me LVV, le të mbetet çështje e tyre.
Mbi të gjitha, të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë detyrime dhe përgjegjësi nga zgjedhësit e tyre e mbi të gjitha – ndaj shtetit të Kosovës”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info