Takim Xhaferi-Landsbergis

Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, u takua me z. Gabrielius Landsbergis, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë.
Në takim, ai shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe falënderim për interesimin e vazhdueshëm të Republikës së Lituanisë për mbështetjen e integrimeve euroatlantike dhe evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në bisedë, Kryetari shprehu keqardhjen për rrethanat në të cilat zhvillohet ky takim, kur rrezikohet siguria e kontinentit evropian, përkatësisht kur Ukraina përballet me agresion ushtarak të pajustifikuar dhe të paprovokuar nga Federata Ruse, akt që komuniteti global, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashpër e dënon dhe e shpall si shkelje flagrante të integritetit territorial të një shteti sovran, në kundërshtim me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe të drejtën ndërkombëtare.
Më tej ai u përqendrua në vizitën e tij të fundit në Ukrainë, ku dha mbështetje personale dhe institucionale për përpjekjet e institucioneve të Ukrainës që t’i kthejnë paqen dhe kontrollin mbi tërë territorin e vet. Ai potencoi se Republika e Maqedonisë së Veriut si shtet u është bashkëngjitur të gjitha masave dhe obligimeve që i ka ndërmarrë Bashkimi Evropian në mbështetje të Ukrainës dhe këto janë masa të ndërmarra si shtet anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Lituanisë, z. Gabrielius Landsbergis theksoi se e mbështesin fuqishëm integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe fillimin sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që Maqedonia e Veriut t’u përmbahet me vendosmëri të gjitha sanksioneve kundër Federatës Ruse të vendosura nga Bashkimi Evropian. Në lidhje me kundërshtimin e Republikës së Bullgarisë dhe vendosjen e vetos për fillimin e negociatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksoi se kjo është e papranueshme, veçanërisht në këto kohë të vështira kur rrezikohet siguria evropiane dhe uniteti dhe solidariteti ndërmjet vendeve evropiane janë kruciale për tejkalimin e krizës. Ai tha se Republika e Lituanisë ka përparuar shumë në të gjitha fushat, edhe atë në fushën demokratike, ekonomike dhe institucionale, kur u bë anëtare e BE-së.
Në fund, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se nevojitet bashkëpunim dhe mbështetje më e madhe si vende-anëtare të NATO-s, me qëllim të tejkalimit të gjendjeve të krizës në kontinentin evropian.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

ASH: Distancimi i Bujar Osmanit nga ngjarja në Sllupçan, DYFYTYRËSI!

Story i radhës

Vuçiç flet para takimeve në Berlin: Nuk do të ketë bisedime të lehta

Të fundit nga