Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, në margjinat e takimit joformal ministror të NATO-s në Berlin.
Siç njoftojnë nga MPJ, në fokusin e bisedimeve ishin perspektivat evropiane të dy vendeve, veçanërisht për sa i përket implikimeve të luftës në Ukrainë për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian dhe më gjerë.
“Evropa dhe bota përballen me sfida të jashtëzakonshme të politikës së jashtme dhe të sigurisë nga pikëpamja gjeopolitike dhe mënyra më e thjeshtë për të demonstruar lidershipin strategjik të Bashkimit Evropian dhe kredibilitetin e tij është zbatimi i vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut”, theksoi Osmani.
Në takim u bisedua edhe për gjendjen aktuale në Ukrainë, ku ministri Osmani edhe me këtë rast dënoi ashpër invazionin ushtarak rus në Ukrainë, veçanërisht vrasjet brutale të civilëve, duke theksuar se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe kandidat kredibil për anëtarësim ka ndërmarrë një sërë hapash dhe masash si përgjigje ndaj veprimeve ushtarake ruse.