Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri konsideron se gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare për Komunën e Vushtrrisë përbëjnë elemente të veprave penale.
Ish kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë këto shkelje ligjore. Sipas tij, raporti i auditorit për vitin e kaluar tregon për performancën më të dobët në historinë e pasluftës për këtë komunë.
Në konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri deklaroi se qytetarët nuk e meritojnë qeverisjen e tanishme.
“Zyrtarisht sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Vushtrrisë e ka performancën më të dobët, më të keqe nga të gjitha komunat në nivel të Republikës së Kosovës, dhe kjo është për keqardhje. Qytetarët e Vushtrrisë nuk e meritojnë një qeverisje me performancë kaq të keqe, sepse qytetarët e Vushtrrisë meritojnë më mirë”, tha ai.
Më tej, ai theksoi se kryetari i Vushtrrisë ka dështuar dhe se edhe projektet e realizuara rezultojnë me keqpërdorime të mëdha.
“Raportet e pasqyrave financiare për vitin 2023, ZKA ka regjistruar një sërë shkeljesh të bëra në rastin e shpenzimit të buxhetit të Komunës së Vushtrrisë dhe po ashtu shkelje të detyrave dhe shkelje të tjera të ligjit lidhur me punësimin në Komunën e Vushtrrisë, subvencionimet të organizatave jo qeveritare, lidhur me mbështetjen për rininë, lidhur me mbështetjen për sportin”, theksoi ai.
Në listimin e shkeljeve më flagrante, Xhafer Tahiri përmendi disa nga kontratat të cilat kanë shkelje ligjore.
Për më tepër, Xhafer Tahiri theksoi në konferencë për media se ka raste që komuna ka blerë kamion të zjarrfikësve të vitit të prodhimit 1995, në vlerë prej 70 mijë euro.