Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi sot në parlament se ka dorëzuar një paketë me katër projektligje në Kuvend pas një pune edhe me ekspertë të komisionit hetimor për inceneratorët.
Ajo tha se këto projektligje ofrojnë mundësi për përmirësim të ndryshimeve ligjore në disa pika kryesore, ku një prej tyre parandalon kompanitë pa pronarë që të marrin kontrata me shuma të mëdha.
“Refuzoj të bëhem pjesë e asaj lufte se kush ka vjedhur më pak dhe kush më shumë. Nuk e shpëtojnë këto Shqipërinë nga largime masive., Kam propozuar një paketë me katër projektligje që do të pasohet edhe nga tre të tjerë. E kam propozuar pas një pune me ekspertë gjatë komisionit hetimor për inceneratorët.
Duke ofruar mundësinë edhe për përmirësim të ndryshimeve ligjore. Unë besoj se pesë pika janë kryesore: parandalimi i kompanive pa pronarë që me duar në xhepa marrin kontrata marramendëse, evidentimin e përgjegjësisë personale për çdo nëpunës civil dhe mbrojtjen e tyre nga presioni, luftë edhe ndaj teknologjisë së pastrimit të parave, dhe ndryshimit të ligjit të përgjegjësisë materiale dhe investimeve strategjike”, tha Tabaku.
Ajo tha se SPAK duhet të tregojë se dosjet për Inceneratorët vazhdojnë të hetohen si të ndara dhe të vërtetojnë se nuk ndikohen nga pushteti dhe politika.
“SPAK duhet të tregojë se tre dosjet vazhdojnë sot të hetohen akoma të ndara dhe nuk bashkohen në një hetim të vetëm. Duhet të tregojmë se pushteti dhe politika nuk ndikon. Takimet nuk kanë vlerë, kanë zero vlerë. Nuk prisja asnjë palë që të dilte dhe të thoshte që unë jam i korruptuar. Prisja një reagim nga organet e reja të drejtësisë së re”,tha ajo.