Rrjedha e Superligës së Kosovës në futboll do të vazhdojë edhe në këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së 24-të.
Tri ndeshjet e para do të zhvillohen të mërkurën e datës tetë mars. Trepça ’89 do të përballet me Drenicën në derbin e mbijetesës, derisa të dy skuadrat kanë nga 23 pikë dhe ndajnë pozitat tetë dhe nëntë.
Llapi do pritet të ketë punë më të lehtë, së paku kështu parashikohet në letër pasi do të luajë si mysafir i skuadrës së fundit në tabelë, Ferizajt. Skuadra e Tahir Batatinës po lufton për të siguruar një vend në garat evropiane në sezonin e ardhshëm, ndërsa Ferizaj ka synim vetëm mbijetesën dhe momentalisht është e fundit në tabelë me 21 pikë.
Ndeshja tjetër e së mërkurës pritet të jetë po ashtu shumë interesante. Në stadiumin “Liman Gegaj” Malisheva do ta pres Dukagjinin dhe fituesi i këtij ballafaqimi do të bënte një hap të madh drejt sigurimit të qëndrimit në elitën e futbollit të Kosovës.
Dita e enjte është ajo që sjellë ballafaqimin e skuadrave që e kryesojnë tabelën.
Lideri aktual i tabelës Ballkani do të ballafaqohet me Dritën e vendit të dytë, një sfidë kjo direkte e dy kandidatëve kryesor për titullin e kampionit në këtë sezon.
Në po të njëjtën ditë, me fillim nga ora 13:00 ballafaqohen Gjilani dhe Prishtina, dy skuadra që mbajnë pozitat tre dhe katër. Gjilani ka 38 pikë, kurse Prishtina 31 sosh.