Ndërsa super tajfuni Man-yi po i afrohet Filipineve, dhjetëra-mijëra njerëz janë evakuuar, duke shënuar stuhinë e pestë tropikale që goditi vendin në tri javët e fundit, njoftoi media shtetërore sot.
Deri më tani, mbi 124 mijë individë ose 43.623 familje, kanë ndjekur urdhrat e evakuimit të qeverisë, pasi tajfuni Man-yi, i njohur lokalisht si Pepito, pritet të zbresë në Catanduanes sonte ose nesër në mëngjes.
Stuhia parashikohet të sjellë erëra me shpejtësi 240 kilometra në orë, njoftoi Agjencia Filipine e Lajmeve, duke cituar Zyrën e Mbrojtjes Civile (OCD).
Stuhia do të prekë provincën ishullore të Catanduanes, e cila është pak e populluar, me intensitet të një super tajfuni.
Në kryeqytetin Manila, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin paraprak të banorëve nga shtatë zona bregdetare me rrezik të lartë.
Zyrtarët shtetërorë të motit kanë treguar se mbi 7.6 milionë njerëz janë në rrezik nga përmbytjet për shkak të rritjes së ujit të detit dhe dallgëve të larta në zonat e ulëta bregdetare.
Burimi: botasot.info