Në shtator të vitit 2023 ndodhi një sulm i armatosur në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sulmi filloi kur një patrullë policore ra në pritë nga një grup i armatosur serb.
Pas sulmit, grupi u strehua në manastirin ortodoks të fshatit, ku pati përleshje të armatosura me forcat e rendit.
Ngjarja u cilësua si akt terrorist nga autoritetet e Kosovës dhe u dënua gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Millan Radoiçiq, figurë politike nga veriu i Kosovës dhe ish-nënkryetar i Listës Serbe, pranoi përfshirjen në sulm. Incidenti përshkallëzoi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
E në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari i parë, zyrtari policor Alban Rashiti, ka dhënë deklaratën e tij për sulmin që ndodhi në shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Ai ka përshkruar momentin kur është ndjerë një shpërthim i fuqishëm, duke u plagosur në krah, dhe menjëherë pas tij një shpërthim i dytë që e ka goditur përsëri.
Pas këtyre, kanë filluar të shtënat me armë zjarri nga shumë pozicione në fshat.
Rashiti theksoi që sulmi në Banjskë ishte një veprim i një strukture të organizuar, jo thjesht kriminale.
Duke u bazuar në deklaratën e zyrtarit policor Rashiti se sulmi në Banjskë nuk ishte veprim i një grupi të thjeshtë kriminal, cilët janë indikatorët që tregojnë për një strukturë të organizuar me qëllime politike apo ushtarake, dhe a përmbush kjo ngjarje elementet ligjore për t’u klasifikuar si akt terrorist sipas legjislacionit të Kosovës?
Çfarë ndikimi ka ky klasifikim në trajtimin gjyqësor dhe ndëshkimin e të akuzuarve?
Shala: Ka arsye të forta për të klasifikuar sulmin në Banjskë si një akt terrorist
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai thotë se deklarata e Rashitit na dërgon në një analizë më të thelluar mbi indikatorët e një operacioni të planifikuar me qëllime politike apo ushtarake.
“Në lidhje me deklaratën e zyrtarit policor Alban Rashiti, trajtimi i sulmit në Banjskë si një veprim i një strukture të organizuar dhe jo një akt kriminal sporadik, na udhëzon drejt një analize më të thelluar mbi indikatorët e një operacioni të planifikuar me qëllime politike apo ushtarake. Më poshtë janë disa nga indikatorët kyç që mbështesin këtë vlerësim”, u shpreh ai.
Eksperti i sigurisë thekson se sulmi në Banjskë kishte tipare të një operacioni të organizuar ushtarak dhe jo të një grupi të zakonshëm kriminal.
Ai argumenton se përdorimi i formacioneve të koordinuara, disiplinës taktike dhe armatimit të avancuar tregon për një strukturë komanduese të organizuar dhe mbështetje logjistike serioze. Kjo sugjeron përfshirje të qëllimshme politike ose ushtarake pas sulmit.
“1. Struktura Komanduese dhe Organizimi Ushtarak
a. Përdorimi i formacioneve të vogla të armatosura që operonin në mënyrë të koordinuar sugjeron një strukturë hierarkike.
b. Raportimet për ndërveprim të koduar, disiplinë taktike, dhe përdorim të planifikuar të terrenit janë shenja të një përgatitjeje paraprake ushtarake ose paramilitare.
2. Armatimi dhe Pajisje
a. Grupet kriminale zakonisht operojnë me armatim të lehtë për qëllime financiare, jo me armatime të nivelit ushtarak, siç ishin: mitralozët e rëndë, predhat, mina anti-këmbësorë, mjete për komunikim të sofistikuar etj.
b. Përdorimi i automjeteve të blinduara ose të modifikuara, të krahasueshme me ato të forcave të armatosura, është tregues i mbështetjes logjistike të mirëfilltë dhe burimeve të mëdha”, shpjegoi ai.
Duke vazhduar bisedën ai shton që sulmi kishte objektiva politikë dhe institucionalë, jo thjesht kriminalë, duke synuar destabilizimin e rendit kushtetues dhe sfidimin e sovranitetit të Kosovës.
Ai thekson se ky veprim përmban elementë të një akti terrorist, pasi është ushtruar dhunë për qëllime politike. Po ashtu, ai nënvizon se ka indikacione për mbështetje të jashtme nga struktura shtetërore serbe, duke sugjeruar një përfshirje të mundshme të organizuar në nivel shtetëror.
“3. Qëllimi dhe Objektiva
a. Objektivi i sulmit nuk ishte thjesht ekonomik apo kriminal, por institucional dhe politik — një pozicion i Policisë së Kosovës në një zonë të ndjeshme.
b. Synimi dukshëm ishte destabilizimi i rendit kushtetues në veri të Kosovës, krijimi i pasigurisë, dhe minimi i sovranitetit të Kosovës në atë territor — karakteristika që i afrohen një akti të dhunshëm për qëllime politike, pra një akt terrorist sipas shumicës së legjislacioneve ndërkombëtare.
4. Mbështetja nga jashtë
a. Ka indicie dhe informacione të shumta që tregojnë për mbështetje logjistike, trajnime dhe ndihmë nga struktura të inteligjencës serbe, veçanërisht nga BIA dhe rrjete të lidhura me figurën e Milan Radoiçiqit.
b. Lidhjet politike të pjesëmarrësve dhe heshtja ose përkrahja e tërthortë e strukturave shtetërore serbe përforcon dyshimet për një komponent shtetëror në operacion”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera eksperti nënvizon që se sulmi në Banjskë ishte pjesë e një operacioni të mirëplanifikuar hibrid, që përfshinte komponentë ushtarakë, propagandistikë dhe diplomatikë.
Ai thekson se reagimi i koordinuar mediatik, vendndodhja strategjike dhe mundësitë për mbështetje nga territori serb tregojnë për një ndërhyrje të organizuar dhe të sponsorizuar politikisht. Prandaj, sipas tij, ky nuk ishte një akt kriminal i zakonshëm, por një akt terrorist me përmasa dhe synime destabilizuese rajonale.
“5. Reagimi i Koordinuar Mediatik dhe Politik
a. Fushata propagandistike që pasoi sulmin, përfshirë dezinformimin për ngjarjen dhe përpjekjet për justifikimin e sulmit si vetëmbrojtje serbe, është një teknikë tipike e operacioneve hibride.
b. Ky aspekt tregon për një operacion të dizajnuar me komponentë të integruar: ushtarak, psikologjik, informativ dhe diplomatik.
6. Zona Gjeostrategjike
a. Sulmi ndodhi në një pikë kyçe që ndan kufirin me Serbinë, me qasje të mundshme për infiltrime të shpejta dhe të mbrojtura nga vetë gjeografia dhe rrjetet e sigurisë lokale pro-serbe
b.Kjo ndihmon në furnizimin, tërheqjen dhe evakuimin e pjesëtarëve, pra një model tipik i operacioneve të mbështetura nga një prapavijë e sigurt.
Pra bazuar në këta indikatorë, ka arsye të forta për të klasifikuar sulmin në Banjskë si një akt terrorist i sponsorizuar politikisht, me përmasa të qarta ushtarake dhe inteligjente, dhe jo thjesht një krim i organizuar klasik.
Ky akt duhet të trajtohet nga autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare si pjesë e një fushate më të gjerë të destabilizimit hibrid që përfshin komponentë të dhunshëm, propagandistikë dhe diplomatikë”, foli eksperti i sigurisë Drizan Shala për “Bota sot”.
Gashi: Armatimi i gjetur mund të pajiste mbi 500 persona, duke treguar përgatitjen e një aksioni më të gjerë për okupimin e veriut të Kosovës
Ndërsa avokati Tomë Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që sulmi në Banjskë ishte një operacion i planifikuar dhe i mbështetur nga shteti serb, me qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.

“Sulmi në Banjskë ka qenë i planifikuar; terroristët janë stërvitur në Serbi dhe ai është realizuar me përfshirjen e shtetit serb, me qëllim aneksimin e pjesës më të pasur dhe strategjikisht më të rëndësishme të Kosovës – veriut”, shton ai.
Në fund, Gashi nënvizon se sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon që sulmi në Banjskë ishte vetëm një pjesë e një plani më të gjerë dhe i mirëorganizuar për okupimin e veriut të Kosovës.
Ai thekson gjithashtu se ky sulm është një krim i organizuar terrorist dhe se çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe do të minimizonte seriozitetin e aktit më të rëndë që Serbia ka kryer ndaj Kosovës pas luftës.
“Duke pasur parasysh sasinë e madhe të armatimit që terroristët serbë lanë pas në Banjskë dhe në vende të tjera gjatë tërheqjes, është e qartë se ky grup përbënte vetëm bërthamën e parë, por jo të vetmen. Armatimi i gjetur ishte i mjaftueshëm për pajisjen e mbi 500 personave, gjë që tregon për përgatitjen e një aksioni më të gjerë dhe të befasishëm për okupimin e veriut të Kosovës.
Ky sulm përmban të gjitha elementet e një krimi të organizuar terrorist, dhe çdo përpjekje për ta kualifikuar ndryshe këtë vepër penale mund të çojë në relativizimin ose “zbutjen” e aktit më të rëndë që ka ndërmarrë Serbia ndaj Kosovës që nga përfundimi i luftës”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info