Në Shqipëri, dy shtetas rusë, M.Z., 24 vjeç dhe S.T., 33 vjeçe, së bashku me një shtetas ukrainas, F.T., 25 vjeç, u arrestuan mbrëmjen e së shtunës nën dyshimet për spiunazh, pasi njëri prej tyre kishte hyrë në uzinën ushtarake në Gramsh, duke tentuar të bëjë fotografi. Sipas një njoftimi të ministrisë së Mbrojtjes “roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi”. Të dy ushtarakët më pas i kanë bërë thirrje të ndalojë, të riut M.Z.. Ndërsa ky i fundit është përpjekur të largohet, është ndaluar nga ushtarakët, pavarësisht se në këtë moment ai ka përdorur ndaj tyre një spray paralizues, duke ua hedhur në fytyrë.
Ndërsa i riu rus është shoqëruar në komisariatin e Gramshit, policia ushtarake, ka vërejtur dhe dy persona të tjerë, që dyshoheshin se po shoqëronin të riun rus që kishte hyrë në Uzinë. Sipas njoftimit të ministrisë së Mbrojtjes, gruaja ruse 33 vjeçare dhe ukrainasi 25 vjeçar, janë ndaluar nga policia jo shumë larg Uzinës, ndërsa udhëtonin me një automjet sportiv me targa të Ukrainës.
Të dy ushtarakët që bënë të mundur ndalimin e të riut që kishte hyrë në Uzinë, u trasportuan me shpejtësi në një spital të kryeqytetit, për shkak të problemeve me shikimin, të provokuara nga spray paralizues. “Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit”, bëri të ditur në një njoftim të sajin Ministria e Shëndetësisë.
Për momentin nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i shtetasve rusë dhe ukrainas të arrestuar. Në një reagim për ngjarjen kryeministri Edi Rama deklaroi se ata “dyshohen për spiunazh”, duke për “një ngjarje delikate”. Për zbardhjen e saj janë angazhuar përfaqësuesë të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, ka prodhuar në të kaluarën armë, fillimisht pushkë të tipir “Simonov”, kalibër 7.62 mm, dhe më pas kallashnikovë. Më pas ajo është përdorur për të ofruar shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë apo dhe riparime. Ndërsa deri në një vit më parë është përdorur për demontimin e armëve të tepërta./VOA