Policia e Shtetit Shqiptar ka dhënë sot detaje lidhur me sulmin ndaj televizionit Top Channel, si pasojë e të cilit ka humbur jetën roja e sigurisë.
Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 00:30 dhe autorët e rastit, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Sipas Policisë, në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.
Në vendin e ngjarjes, siç është bërë e ditur, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak.
“Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përrreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjeti i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.”, ka informuar Policia.
Lidhur me rastin, janë pyetur të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë, etj.
“Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre. Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.
Ndërkohë, po kryerja e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Policia e Shtetit ka ftuar qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe ka vendosur shpërblim 100 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve.
Lidhur me këtë ngjarje, dje kanë reaguar krerët e shtetit shqiptar, të cilët kanë kërkuar veprim të menjëhershëm nga agjencitë ligjzbatuese.