Sulmi ndaj Kapitolit, thirret për të dëshmuar ish-këshilltari i zotit Trump, Peter Navarro

February 10, 2022
min lexim

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, i dërgoi të mërkurën një fletëthirrje për të dëshmuar ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Çështje të Tregtisë, Peter Navarro. Kjo është pjesë e përpjekjeve për të marrë në pyetje një aleat të ish-Presidentit Donald Trump, i cili mbështeste pretendimet e rreme, për manipulim të votave në zgjedhjet e vitit 2020.

Në një deklaratë kryetari i komisionit, demokrati Bennie Thompson, tha se komisioni po kërkon informacione dhe dëshmi nga zoti Navarro, i cili ishte i përfshirë në përpjekjet për të vonuar çertifikimin nga Kongresi të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale me synimin përfundimtar, ndryshimin e rezultatit.

“Zoti Navarro duket se ka informacione të lidhura drejtpërdrejt me hetimet që po kryen komisioni mbi shkaqet që çuan në sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit”, tha më tej zoti Thompson. “Ai nuk ka pasur drojë lidhur me rolin e tij në përpjekjet për të ndryshuar rezultatit e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe madje ka diskutuar rreth mbështetjes që u jepte ish-presidenti këtyre planeve”.

Në një deklaratë të mërkurën, zoti Navarro e quajti punën e komisionit një “gjueti shtrigash me qasje politike” dhe përsëriti pretendimin e tij se gëzon privilegj ekzekutiv, për të mos dhënë informacion.

Komisioni prej nëntë anëtarësh thotë se ka marrë informacione nga intervistat publike, raportimet dhe madje edhe nga libri i vetë zotit Navarro, ku ai tregon se ka punuar me aleatin e vjetër të zotit Trump, Steve Bannon, e të tjerë persona, për të hartuar dhe zbatuar një plan për të vonuar procesin e çertifikimit të fitores në zgjedhje të Joe Biden-it më 6 janar të vitit 2021. Zoti Navarro ishte një nga punonjësit e Shtëpisë së Bardhë që mbështeste pretendimet e pabazuara në fakte të zotit Trump për manipulim masiv të votave. Ai lëshoi një raport në dhjetor të 2020-s duke pretenduar se përmbante prova rreth dyshimeve për manipulim.

Ish-profesori 72-vjeçar i ekonomisë shihej si një njeri me ide jashtë rrjedhës normale përpara se ai të bëhej pjesë e fushatës së zotit Trump në vitin 2016.

Ish-presidenti i kërkoi atij të bëhej pjesë e personelit pasi një prej librave të zotit Navarro mbi Kinën, i ra në sy dhëndrit të zotit Trump, Jared Kushner, gjatë një kërkimi në internet.

Pasi zoti Trump mori detyrën, zoti Navarro u emërua në krye të një Këshilli të ri Kombëtar të Tregtisë në Shtëpinë e Bardhë. Por ai u mënjanua shumë shpejt nga shefi i Kabinetit John Kelly dhe mbikëqyrej nga ish-sekretari i Kabinetit Rob Porter.

Zoti Navarro është personi më i fundit që merr një fletëthirrje nga komisioni për të dëshmuar, si pjesë e hetimeve në shkallë të gjerë që nisën verën e kaluar.

Deri tani komisioni u ka bërë kërkesa zyrtare për të dëshmuar rreth 100 persona dhe ka intervistuar rreth 500 vetë.

Komisioni planifikon të kalojë në muajt e ardhshëm në një fazë më publike të punës së tij. Ligjvënësit do të mbajnë seanca dëgjimore për të dhënë për publikun amerikan një pamje më të detajuar e më të plotë, të individëve dhe ngjarjeve, që çuan në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Ngjarjet e datës 10 shkurt

Story i radhës

Horoskopi i datës 10 shkurt 2022

Të fundit nga

Zhegrova kërkohet me ngulm në Serie A

Juventus dhe Roma janë dy klubet që kanë shfaqur interes më të lartë për të transferuar sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës që aktivizohet te Lille, Edon Zhegrovën. Sipas raportimeve të medieve italiane
ShkoLartë