Sulmi kibernetik nga Irani/ Kthehet pjesërisht sistemi TIMS, Rama: S’ka rrjedhje informacioni

min lexim

Sistemi TIMS është rikthyer në gjendje pune sot në mëngjes në disa prej pikave kufitare të vendit, pasi në orët e vona të së premtes u bllokua për shkak të një sulmi kibernetik.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, këtë të diel u rikthye sistemi dhe puna vijon normalisht, ndërkohë që një ditë më parë pasagjerëve iu kërkua të vinin dy orë e gjysmë më herët pasi regjistrimi bëhej manualisht.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, njoftoi se TIMS është funksionale dhe në pesë pikave të tjera kufitare në vend, në Hanin e Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë dhe Kakavijë.

Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare në vendin tonë, në Qafë Thanë, Vlorë dhe Durrës, sistemi vijon të jetë i bllokuar dhe për  hyrjet dhe daljet nga vendi po përdoret regjistrimi manual, në letër.

Sipas kryeministrit Edi Rama, nuk ka asnjë rrjedhje ose zhdukje të dhënash nga sistemi i Policisë së Shtetit.

“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”, shkruan Rama në një postim në Twitter.

Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm.Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin,fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit,asnjë zhudkje a rrjedhje serioze të dhënash!

Një ditë më parë, hakerat e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.

Menjëherë më pas u ndoq protokolli fikjes të sistemit në mënyrë për mos ti dhënë mundësi avancimi hakerave,  në marrjen nën kontroll të këtij sistemi, më i rëndësishmi për policinë shqiptare.

Hetimet e mëtejshme do të zbulojnë se çfarë dëmi ka shkaktuar ky sulm, por  autoritetet thonë se TIMS dhe sisteme të tjera, kanë pasur masa mbrojtëse, pasi në brendësi të tyre kanë informacione tejet sekrete. Ka një sistem mbrojtës, ku dhe një person i autorizuar kur hyn lë shenjë, që do të thotë se hakerat nuk mund të hyjnë pa lënë gjurmë në sistem.

Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

SHBA akuzoi Iranin për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, ndërsa sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Prishen planet, Sara Hoxha sërish shtatzënë? Ledri Vula trazon rrjetin

Story i radhës

Sot rivale, dje shoqe të ngushta…

Të fundit nga