Rreziku nga kafshimi prej qenve endacakë është shqetësues. Kështu po konsiderojnë asamblistët e opozitës në Komunën e Prishtinës.
Edhe një rast i sulmit nga qentë endacakë u regjistrua të shtunën në oborrin e QKUK-së. Kësaj radhe ishte drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, ai i cili kishte pësuar lëndime të konsiderueshme trupore. Këtë e ka bërë të ditur asamblistja nga radhët e PDK-së, Kumrije Shabani, e cila në rrjetet sociale shfaqi imazhet e lëndimit që ka pësuar neurologu. Ajo kërkoi nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që të ndërmarrë masa të menjëhershme për t`i mbrojtur qytetarët nga ky rrezik.
Alarmante po e konsideron gjendjen edhe Gëzim Sveçla, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e opozitës.
“Sulmi ndaj drejtorit të Neurologjisë është një në vazhdën e sulmeve të shumta që kanë ndodhur sidomos në atë hapësirë. Kjo pastaj për neve është shumë problematike nëse bazohemi në deklaratën e z.Rama dhënë para 2-3 netëve në një medium publik ku thotë se me qëllim nuk i kemi larguar qentë nga sheshi dhe nga QKUK-ja, do të thotë se kjo është skandaloze një veprim i tillë nëse me të vërtetë ka ndodh, me në një farë mënyrë është si kurthë ndaj qytetarëve. Do të thotë për inati ndaj Qeverisë qendrore në raporte politike, viktimat janë qytetarët në këtë rast ishte drejtori i një Klinike të QKUK-së”, tha Sveçla.
Për zgjidhjen e problemit, kreu i Prishtinës tha se është duke u punuar vazhdimisht, por ai ka një kërkesë për QKUK-në.
“Jemi duke punuar më shumë se Qeveria, më shumë se çdo komunë tjetër për sanimin e problemit me qentë endacak edhe për këtë arsyeje të gjitha këto raste, sidomos rastet që po ndodhin në QKUK, i lus menaxhmetin e QKUK-së ta mbajnë më pastër hapësirën e QKUK-së sepse normal papastërtia josh apo sjell qentë endacak. Kemi ofruar të ju dërgojmë edhe kontejner mirëpo kanë thënë se nëse ne kemi më shumë kontenjer, paguajmë më shumë. Do të thotë duhet kemi një kooperim më të mirëfillt mes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe QKUK-së dhe këtë e ka ofruar drejtori i ynë, por duhet normal që QKUK-ja të ndërmarrë masa shtesë për përmirësimin e kushteve aty edhe për mbylljen e territorit të QKUK-së në mënyrë që sanimi të jetë i përhershëm e jo vetëm i përkohshëm sepse ju e dini që masat më të mëdha deri më tani në historinë e Prishtinës faktikisht apo të Kosovës është duke i ndërmarrë Komuna e Prishtinës”, tha Rama.
Gjendja me qentë endacakë në kryeqytet, sipas Sveçlës, është më e rëndë sesa ka qenë prej kur Rama mori detyrën.
“E kur kësaj i shtojmë edhe faktin që për vitin e ardhshëm, në planifikimin buxhetor janë të ndara vetëm 500 mijë euro, atëherë me të vërtetë nuk shohim se kjo gjendje do të rregullohet së shpejti. Siç e dini z.Rama, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar që brenda vitit do ta rregullojë çështjen e qenve endacak, e kjo çështje jo që nuk është rregulluar, por tani është duke u vështirësuar shumë e më shumë sidomos nëse e shtojmë faktin që po shkojmë në sezonin e dimrit, kur sulmet e qenve endacak janë më të shumta për shkak të mungesës së ushqimit. Janë marrë disa veprime, të cilat kanë rezultuar të dështuara siç ishin pikat ushqyese ose procesi i adoptimit të qenve, e të gjitha këto nuk kanë ndikuar që gjendja të përmirësohet. Me të vërtetë është shqetësuese edhe alarmante edhe qasja e pushtetit lokal në raport me këtë problem por edhe gjendja momentale në të cilën është kryeqyteti”, tha Sveçla.
Për këtë çështja Rama pajtohet se buxheti i ndarë prej 500 mijë eurosh nuk është i mjaftueshëm, por se i bëri thirrje nivelit qendror që të merret më seriozisht, pasi sipas tij, nuk ka ndarë asnjë buxhet për këtë çështje.
“Normal që nuk janë të mjaftueshme. Po them, neve na duhet ndihma e nivelit qendror. Niveli qendror, përkundër faktit që i ka buxhetuar para më shumë se dy viteve 9 milionë e gjysmë e nuk e ka nda asnjë centë për trajtimin e qenve endacak. Vazhdon, pra të mos jetë bashkëpunues në këtë çështje, prandaj e lus publikisht që niveli qendror të zgjohet nga gjumi dhe të merret me seriozitetin më të madh rreth kësaj çështje. OJQ-të që kanë nxjerrë statistika që ka rreth 3500 deri në 4000 mijë qen endacak në Prishtinë dhe ne i kemi investuar rreth 2 milionë e më shumë deri më tani. Qentë normal që vijnë edhe prej komunave tjera dhe pa ndihmën e nivelit qendror dhe komunave tjera që nuk munden me i përballu këto kosto, normal që problemi do të vazhdojë. Prandaj i lus publikisht Qeverinë që të merret me seriozitetin më të madh“, tha Rama.
Rast i njëjtë i sulmit nga qentë endacakë kishte ndodhur edhe para një muaji kur në oborrin e QKUK-së kishte pësuar një kardiolog nga Peja, të cilit i ishin shkaktuar lëndime serioze trupore.
Burimi: botasot.info