Forcat ruse ndërmorën sulme të reja në qytetet ukrainase ndërsa në rajonet e Ukrainës nën kontrollin rus zhvilloheshin referendumet e orkestruara nga Kremlini, për të krijuar një pretekst për aneksimin e tyre nga Moska.
Zyra e presidentit të Ukrainës tha se granatimet e fundit ruse shkaktuan vdekjen e të paktën tre personave dhe plagosjen e 19 të tjerëve. Oleksandr Starukh, guvernatori ukrainas i Zaporizhzhias, një nga rajonet ku zyrtarët e vendosur nga Moska organizuan referendume për bashkimin me Rusinë, tha se një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në qytet, duke vrarë një person dhe duke plagosur shtatë të tjerë.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë thonë se referendumet që po zhvillohen në Kherson dhe Zaporizhzhia në jug dhe në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut, nuk kanë fuqi ligjore. Ata thonë se votimi është një përpjekje e paligjshme e Moskës për të marrë territorin ukrainas që shtrihet nga kufiri rus deri në gadishullin e Krimesë.
Guvernatori i Luhanskut Serhiy Haidai tha se votimi “dukej më shumë si një sondazh opinioni nën tytat e armëve”, duke shtuar se autoritetet lokale të mbështetura nga Moska dërguan persona të armatosur për të shoqëruar zyrtarët zgjedhorë dhe për të hequr nga listat e votimeve emrat e individëve që votuan kundër bashkimit me Rusinë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje ukrainasve në rajonet nën kontrollin rus që të minojnë referendumet dhe të ndajnë informacione rreth njerëzve që organizojnë “këtë farsë”. Ai u bëri thirrje gjithashtu të rekrutuarve rusë që të sabotojnë dhe dezertojnë ushtrinë nëse thirren nën mobilizimin e pjesshëm të trupave, të shpallur të mërkurën nga Presidenti Vladimir Putin.
Presidenti rus Putin nënshkroi të shtunën një projekt-ligj të miratuar me ngut që ashpërson dënimin për ushtarët që nuk u binden urdhrave të oficerëve, dezertojnë ose i dorëzohen armikut./VOA