Sulme me mortaja në zonat e banuara në Ukrainën Lindore

Prej më shumë se dy javësh sulmet me mortaja nga separatistët pro rusë në zonat e banuara në Ukrainën Lindore janë shtuar. Banorët tregojnë për Zërin e Amerikës frikën që po përjetojnë, ndërsa thonë se kjo situatë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Victor Lymar njofton nga Luhansku.

Disa fshatra në Ukrainën lindore prej kohësh po përjetojnë një situatë tmerruese, ndërsa mortajat nga territoret separatiste pro ruse nuk kanë të ndalur. Fshati Novotoschkivske, pranë rajonit Luhansk prej ditësh ka përjetuar sulme me mortaja.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Dikur kishte shpërthime aty-këtu. Por tani, po godasin shtëpitë. Është shumë e frikshme”, thotë një banore në këtë fshat.

Galyna tregon për Zërin e Amerikës se ishte me bashkëshortin brenda banesës kur shpërthimi ndodhi shumë pranë, duke shkaktuar edhe dëme.

“Ishte shpërthim i fortë. Dukej sikur shtëpia po rrëzohej. Shumë vështirë është këtu. Zhurma ishte shurdhuese. Goditja ishte aq e tmerrshme”, thotë më tej ajo.

Tymur, një pjestar i Forcave të Armatosura të Ukrainës i tha Zërit të Amerikës se këto shpërthim kanë ndërprerë edhe energjinë elektrike në këtë fshat.

Po ashtu një banore ndodhet në spital, pasi mori dëmtime të rënda nga shpërthimet e mortajave.

Një grup vullnetarësh shkoi në këtë fshat për të parë nga afër dëmet.

“Rrjeti elektrik është dëmtuar, një nënstacion është shkatërruar. Dy banesa janë dëmtuar, pesë apartamenteve iu mungojnë xhamat e dritareve”, tregon Larysa Grytsenko për Zërin e Amerikës.

Të shkosh në fshatin Novotoschkivske, tani është edhe më e vështirë. Rrugët përreth fshatit, të cilat dikur përdoreshin për furnizime tani duhet shumë kujdes pasi mortajat nga territoret e pushtuara të rrezikojnë jetën.

Larysa thotë se edhe automjeti i tyre u bë objekt i sulmeve me mortaja.

“Dëgjuam një predhë që shpërtheu pas makinës. Më pas disa të tjera shumë pranë nesh. Ne reaguam shpejt, duke u larguar nga aty”, tregon ajo.

Gjatë dy javëve të fundit forcat ukrainase janë sulmuar shumë herë. Të hënën, separatistët e mbështetur nga Rusia kishin hapur zjarr katër herë.

“Ata po na sulmojnë vazhdimisht. Mund të them që pajisjet e tyre janë të shkëlqyera. Ata punojnë me teknologji të avancuar. Situata është tensinuar edhe më shumë. Është më e frikshme se dikur”, tregon Anton, pjestar i Forcave të Armatosura të Ukrainës./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vajzat e kësaj shenje Horoskopi do të gjejnë dashurinë deri në fund të shkurtit

Story i radhës

U çmend Putini – po vjen rusi?

Të fundit nga