Zyrtarët palestinezë njoftuan të mërkurën se si pasojë e sulmeve izraelite nga toka dhe ajri në pjesën qendrore dhe veriore të Gazës janë vrarë të paktën 18 persona, mes tyre pesë fëmijë e dy gra.
Dy sulme goditën kampet e personave të zhvendosur në Nuseirat dhe Bureij në Gazën qendrore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë lufton deri në “fitoren e plotë” mbi Hamasin dhe kthimin e të gjithë pengjeve.
Një vit më parë, militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan pjesën jugore të Izraelit duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë si dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Rreth 100 pengje vazhdojnë të jenë në duart e militantëve, një e treta e të cilëve mendohet se kanë vdekur. Ndërkohë numri i përgjithshëm i të vdekurve në territor që prej fillimit të luftës i ka kaluar të 42,000 personat, sipas ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi e që nuk bën dallim mes viktimave civile dhe militantëve.
Të martën, zoti Netanyahu paralajmëroi se Libani do të kishte të njëjtin fat si rajoni i Gazës, nëse libanezët nuk ngriheshin kundër Hezbollahut, një grup i armatosur që mbështetet nga Irani, e që nisi të lëshonte raketa kundër shtetit hebre prej 8 tetorit të vitit të kaluar.
Ushtria izraelite bëri të ditur të mërkurën se Hezbollahu kishte lëshuar më shumë se 12 mijë raketa e dronë ndaj Izraelit që prej fillimit të konfliktit.
Kryeministri i Izraelit tha të martën se ushtria e vendit të tij kishte vrarë atë që dyshohet të ishte pasardhësi i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili u vra në një sulm izraelit në Bejrut më 27 shtator.
Ndërkohë Izraeli po shqyrton mundësinë për një sulm ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me 180 raketa balistike që Teherani lëshoi ndaj Izraelit javën e kaluar. Një zhvillim i tillë mund të përshkallëzonte luftën në një tjetër front./VOA
Burimi: botasot.info