Suedia kryeson me BE-në, shpresë për Kosovën dhe rajonin në tërësi!

January 3, 2023
min lexim

3 janar – Në ditën e parë të vitit 2023, Suedia mori nga Çekia kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili do t’i zgjasë për gjashtë muaj deri në fund të qershorit. Suedia është anëtare e BE-së që nga viti 1995. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor që tashmë të gjitha shtetet zyrtarisht janë të orientuara drejtë anëtarësimit në BE. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë filluar negociatat kanë hapur kapitujt, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hapur negociatat por ende nuk kanë filluar, Kosova më 14 dhjetor ka aplikuar zyrtarisht proces që zgjatë shumë deri në marrjen e statusit të “shtetit kandidat”. Tani ky gjashtëmujori me kryesimin e Suedisë pritet të ketë sinjale pozitive për shtetet e rajonit për sa i përket rrugëtimit evropian, shkruan Zhurnal.

 

Suedia mori kryesimin e BE-së, sa do t’i ndihmojë kjo shtetet e Ballkanit Perëndimor?

Suedia, tradicionalisht ka qenë vend që e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë ka qenë shtet i hapur edhe për pranimin e imigrantëve. Por, kohëve të fundit kanë ndodhur ndryshime në skenën politike atje, të cilat, sipas diplomatëve në Bruksel, mund të ndikojnë edhe në sjelljen e Suedisë në BE. Në zgjedhjet e fundit, numrin më të madh të votave e ka fituar partia e ekstremit të djathtë “Demokratët Suedezë”, e cila ka pasur qëndrime kritike ndaj BE-së, e sidomos ndaj politikës së azilit dhe migrimit. Kjo parti nuk është pjesë e Qeverisë, por ia siguron Qeverisë aktuale të kryeministrit Kristersson shumicën e nevojshme të votave në Parlament – çka e bën këtë Qeveri krejtësisht të varur prej kësaj partie.

Në raportet me vendet e Ballkanit Perëndimor pritet që Suedia ta ketë prioritet edhe bashkëpunimin në fushën e kontrollit të migrimit. Një ndryshim tjetër që ndodhi në politikën e Suedisë, si pasojë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, ishte heqja dorë nga parimi i neutralitetit ushtarak dhe kërkesa për anëtarësim në NATO. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe fqinji i saj, Finlanda. Suedia, aktivisht, e ka mbështetur edhe misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë. Kjo është një shenjë e mirë dhe shpresë e ngjallur për shtetin e Kosovës që me 14 dhjetor të vitit që e lamë pas ka dorëzuar në mënyrë zyrtare aplikimin për anëtarësim në BE, tani pritet miratimi aplikimit dhe dhënia e statusit shtet kandidat. Por, si pengesë shihen 5 shtetet anëtare në BE: Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia, Malta, të cilët ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën. “Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë, janë të rëndësishme si për këtë rajon, ashtu edhe për Bashkimin Evropian“, thuhet në dokumentet e Presidencës suedeze të BE-së.

Suedia premtoi se do ta vazhdojë punën e nisur me dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, por edhe me vende të tjera, përfshirë ato të rajonit të Ballkanit Perëndimor. “Presidenca do të vazhdojë punën pas vendimeve të Këshillit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë dhe ofertën për perspektivë evropiane Gjeorgjisë. Po ashtu do të vazhdojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në prioritetet e Presidencës suedeze.

“E ardhmja e këtyre vendeve dhe qytetarëve të tyre është në Bashkimin Evropian. BE-ja duhet të vazhdojë t’i mbështesë këto vende në përpjekjet e tyre për zbatimin e reformave, që janë pjesë e procesit të integrimit. Reformat në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit janë kyçe“, thuhet në dokumentet suedeze, të publikuara nga REL.

Marrja e presidencës së BE-së nga Suedia shpresë më e madhe për Kosovën për dy çështje-

Pritet që Presidenca suedeze të vazhdojë punën edhe rreth dy çështjeve të lidhura me Kosovën. Njëra është përmbyllja formale e vendimit për liberalizimin e vizave, ndërsa tjetra ka të bëjë me shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE.

Sa i përket liberalizimit të vizave, pjesa më e madhe e punës është kryer gjatë kryesimit të Çekisë – është miratuar vendimi nga vendet anëtare në Këshillin Evropian, pastaj është arritur marrëveshja për këtë vendim edhe në Parlamentin Evropian. Tash vetëm pritet që të aprovohet kjo marrëveshje në Parlamentin Evropian, e më pas edhe një herë në Këshill. Kjo pritet të ndodhë në pjesën e parë të kryesimit të Suedisë me BE-në.

Sipas vendimit për të cilin janë pajtuar vendet anëtare të BE-së, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se data 1 janar e vitit 2024. Përderisa diplomatët në Bruksel presin që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë një dosje e lehtë për Suedinë, pasi ka mbetur vetëm puna formale dhe nuk ka asnjë pengesë politike, më i vështirë pritet të jetë shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kjo kërkesë, sipas rregullave dhe procedurave të BE-së, iu dorëzua Presidencës çeke më 15 dhjetor. Por, Çekia nuk pati mundësi dhe kohë të bëjë asgjë më tepër, pos që t’i njoftojë vendet anëtare për këtë akt. Tash, dosjen pritet ta marrë përsipër Presidenca suedeze e BE-së, e cila premtoi se do t’i nisë konsultimet me vendet anëtare rreth mundësive për veprime të mëtejme. Problem mbetet fakti se Kosova nuk është njohur si shtet nga pesë prej 27 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa vendimet në procesin e zgjerimit miratohen me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.

Kujtojmë që, gjatë Presidencës Çeke Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan negociatat e anëtarësimit në BE. Shtetet anëtare dhanë gjithashtu pëlqimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, proces që do të realizohet brenda vitit 2023.

Në pjesën e dytë të vitit 2023, pra gjashtëmujorin e fundit Suedia do t’ia dorëzojë Spanjës kryesimin e radhës me Këshillin e BE-së. Që do të jetë një situatë jo e favorshme për Kosovën duke marrë parasysh faktin që Spanja është në grupin e 5 shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës. Prandaj, përgjatë gjashtëmujorit të parë është e nevojshme që politika e Jashtme e Kosovës të aktivizohet dhe të shfrytëzojë këtë momentum për liberalizim të vizave, si dhe në përshpejtim të procesit të aplikimit për marrjen e statusit shtet kandidat. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Takim lamtumirës Osmani-Hollshtajn

Story i radhës

Kroacia në kaos pas futjes së euros: Rritje masive e çmimeve, qytetarët në panik, Plenkoviq mban takime urgjente

Të fundit nga

ShkoLartë