Suedia dhe Finlanda po zhvillojnë bisedime me zyrtarët e NATO-s në Bruksel për fillimin e procesit formal për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore – një lëvizje që do të shënonte një largim dramatik nga politikat e vjetra të vendeve nordike të mos-angazhimit për çështjet ushtarake.
Bisedimet e 4 korrikut po drejtohen nga ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde dhe homologja finlandeze, Pekka Haavisto, të cilat pasojnë marrëveshjen e javës së kaluar me Turqinë për tërheqjen e Ankarasë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të të dy vendeve nordike në aleancë.
Më 5 korrik, ambasadorët e 30 vendeve anëtare të NATO-s pritet të nënshkruajnë protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën. Më pas do të duhen disa muaj përpara se anëtarësimet e tyre të ratifikohen nga të gjithë anëtarët e aleancës.
Ndryshimet historike nga Suedia dhe Finlanda erdhën përballë pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia në dhe lëvizjeve të tjera agresive të Kremlinit në rajon. Opinioni publik në vendet nordike u kthye shpejt në favor të anëtarësimit në NATO.
Mbrëmjen e 28 qershorit, udhëheqësit e Finlandës, Suedisë dhe Turqisë nënshkruan një memorandum trepalësh – në margjina të samitit të NATO-s në Madrid – duke i hapur rrugën dyshes nordike për t’iu bashkuar aleancës ushtarake.
Ndërsa vetëm dy ditë pasi ra dakord për të hequr veton ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, udhëheqësi i Turqisë paralajmëroi të enjten se Ankaraja mund të bllokojë ende procesin nëse të dy vendet nuk arrijnë të përmbushin plotësisht pritshmëritë e tij.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka kërkuar dy vendeve nordike të respektojnë marrëveshjen që nënshkruan me Ankaranë në mënyrë që të fitojnë mbështetjen e saj për anëtarësimin e tyre në NATO./REL