Qindra protestues sudanezë që kërkojnë t’i jepet fund sundimit ushtarak në vend dolën në rrugët e kryeqytetit Khartoum dhe periferi të tij për të katërtën ditë radhë të dielën.
Gjatë protestave masive të së enjtes forcat e sigurisë vranë nëntë persona, dita më e përgjakshme prej disa muajsh protestash që pasuan një puç ushtarak të tetorit të kaluar, të udhëhequr nga shefi i ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit të Mjekëve Sudanezë, gjatë demonstratave të fundit turmat kanë djegur goma e kanë ngritur barrikada me tulla në rrugë ndërsa forcat e sigurisë kanë përdorur plumba të vërtetë, si dhe kanë hedhur gaz lotsjellës e ujë me presion në drejtim të protestuesve.
Demonstruesit kërkojnë rivendosjen e qeverisë civile që mori detyrën pas rrëzimit në vitin 2019 të politikanit autokrat e prej shumë vitesh në pushtet, Omar al-Bashir.
Numri i të vdekurve si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë protestave ka arritur në 114 që nga grushti i shtetit të vitit të kaluar. Të shtunën u regjistrua viktima më e fundit, një demonstrues që vdiq nga plagët e marra në një tubim të 16 qershorit./VOA