Luis Suarez e ka lavdëruar më të mirin në botë, Lionel Messi pasi që ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona e ndihmoi Argjentinën për tu kualifikuar në finale të Kupës së Botës në Katar.
Messi e zhbllokoi rezultatin nga penalltia në minutën e 34’, dhe asistoi te goli i dytë i Julian Alvarez në minutën e 69’, për të vulosur një fitore bindëse 3:0 kundër Kroacisë mbrëmë.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë tani e ka një mundësi të artë për titullin e tij të parë të Kupës së Botës, dhe të parin për Argjentinën që kur Diego Maradona i udhëhoqi drejt triumfit në vitin 1986, kurse Messi ishte në finale të Kupës së Botës 2014, në të cilën Argjentina ishte mposhtur nga Gjermania me shifrat 1:0.
“Ti nuk lodhesh kurrë duke treguar se je më i miri në botë”, shkroi në “Instagram” Suarez, i cili kishte kaluar gjashtë vite me Messin te Barcelona nga viti 2014 deri te viti 2020.
“E gjithë bota ndalon për të duartrokitur këtë djalë dhe atë që i ka dhënë futbollit. E pabesueshme miku im”, shkruante më tej Suarez.
Argjentina do ta luajë finalen e Kupës së Botës të dielën kundër fituesit të ndeshjes së sotme mes kampionit aktual, Francës dhe Kombëtares së Marokut.