Skuadra shqiptare, Struga Trim Lum, ka marrë vetëm një pikë në Shkup, duke luajtur baras (1:1) me Skopjen, në takimin e javës së 18-të të elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Struga dimëron në krye me 37 pikë, ka tre më shumë se Shkupi në pozitën e dytë.
“Stinorin vjeshtor e mbyllëm me barazim në transfertën në Shkup kundër Skopjes. Edhe pse objektivi ishte 3 pikët e plota, në fund dolëm me vetëm një pikë, që e mban sërish skuadrën tonë në pozitën e parë me 37 pikë, 3 më shumë se skuadra e dytë në renditje, FC Shkupi.
Edhe përkundër iniciativës që patëm, kundërshtari, e në veçanti fusha që ofronte kushte katastrofale për lojë, nuk na e mundësuan të aprovojmë lojën tonë, edhe pse gjithçka nisi mirë për Struga Trim Lum.
Në minutën e 11-të, Rada Saviç, pasi ndërpreu një aksion të vendasve, e udhëhoqi topin deri në gjysmëfushën kundërshtare, aty ku pas një kombinimi të dyfishtë me kapitenin Shabani, arriti që edhe të godas, mirëpo pa efekt të golit.
Në minutën e 37-të, ishte kapiteni Shabani, ai i cili tentoi të shënojë, mirëpo goditja e tij u devijua nga mbrojtja vendase, ndërsa nga e gjithë kjo në zonën kundërshtare nuk arritën të përfitojnë dy sulmuesit tanë, Ibraimi dhe Maleski.
Kështu, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë, të dyja skuadrat shënuan nga një gol.
Pas një aksioni mirë të ndërtuar, Struga Trim Lum arriti të shënojë gol në minutën e 57-të.
Bunjamin Shabani mjaft mirë pasoi për Ibraimin në zonën kundërshtare, ndërsa ky i fundit në pamundësi për të goditur, asistoi një top si një pjatë për Hristijan Maleskin, i cili në ato momente shënoi golin e avantazhit.
Megjithatë në minutën e 69-të vendasit pretenduan për një penalti, të cilën e përfituan nga arbitri Aleksandar Stavrev, i cili pa shumë hamendje tregoi në pikën e bardhë, nga e cila vendasit arritën që të barazojnë rezultatin.
Deri në fund të takimit, ekipi ynë vazhdoi të kërkojë golin e avantazhit, me ç’rast në disa raste tentuam me Ibraimin, mirëpo pa sukses, ashtu që në fund nga transferta në Shkup u rikthyem me një pikë, që na mban në pozitën e parë, të cilën dëshirojmë që ta ruajmë edhe gjatë stinorit pranveror, i cili starton me 19 shkurt të vitit 2023.
Deri atëherë neve si skuadër na mbetet që të përgatitemi mirë dhe të përmirësojmë gabimet e bëra gjatë stinorit vjeshtor, në të cilën nga 17 ndeshje të zhvilluara, regjistruam 11 fitore, 4 barazime dhe vetëm 2 disfata.
Është ky suksesi ynë më i madh pa dyshim, që nga themelimi, ndërsa qershia mbi tortë e këtij sezoni, 2022-2023 do të ishte edhe titulli kampion”, shkruan në faqen e FC Struga.