Raheem Sterling është një nga lojtarët më të shpejtë në Premier League sezonet e fundit por e ka kuptuar vetë se nuk e gëzon më këtë status. I pyetur gjatë një interviste për BT Sport se cili ishte më i shpejti te Chelsea, përgjigjja e tij ishte befasuese.
Ai e anashkaloi Aubameyangun, i cili në një moment ka qenë lojtari më i vlerësuar për sa i përket shpejtësisë nga FIFA.
“Më i shpejti te Chelsea? Armando (Broja), me të nuk ka as garë.”
Broja është një nga lojtarët me më shumë perspektivë te blutë e Londrës. Paraqitjet tij dhe golat te Southamptoni sezonin e kaluar janë prova më e fortë për këtë.
Edhe Pierre-Emerick Aubameyang e vlerëson talentin shqiptar, për të cilin nuk e kursen ndihmën dhe këshillat.
“Përpiqem të jap gjithmonë këshilla, nuk jam tip që flas kur të ka kamera, por e bëj punën time fshehurazi.
Gjëja më e mirë që mund të bësh kur je lojtar me përvojë është të ndikosh që lojtarët e rinj të ndihen mirë në dhomën e zhveshjes. Broja? Kam folur disa herë me të, jam përpjekur ta këshilloj.
Kur punojmë para portës, gjithmonë i them që nuk duhet të harrojë se kjo është e vetmja mundësi që do të ketë në ndeshje, ndaj duhet ta ketë këtë mendësi. Mendoj se kjo mund ta ndihmojë. Nuk besoj se ai ka nevojë aq shumë, sepse ka shumë ritëm, është i fortë dhe gjithçka ka të bëjë me finalizimin dhe të qenët gjithmonë pozitiv”.